Merreshin me mashtrime, trafikim droge dhe prostitucion në Mianmar, gjykata kineze dënon me vdekje 11 anëtarë të familjes mafioze
Dhjetëra anëtarë të asaj familjeje u shpallën fajtorë për kryerjen e veprave penale dhe shumë prej tyre morën dënime të gjata me burgim.
Familja Ming punonte për një nga katër klanet që kontrollonin qytetin Laukai, pranë kufirit me Kinën, duke e shndërruar atë në një qendër për bixhoz, drogë dhe lloje të tjera krimi, raportoi BBC.
Autoritetet e Mianmarit arrestuan një numër të madh anëtarësh të këtyre klaneve në vitin 2023 dhe i ekstraduan ata në Kinë.
Një total prej 39 anëtarësh të familjes Ming u dënuan sot në qytetin lindor kinez Wenzhou, nga të cilët 11 u dënuan me vdekje, ndërsa 11 morën dënime me burgim të përjetshëm, raportoi CCTV.
Anëtarët e tjerë të familjes u dënuan me dënime që varionin nga pesë deri në 24 vjet burg.
Siç deklaroi gjykata, ata ishin të përfshirë në mashtrime në telekomunikacion, kazino të paligjshme, trafik droge dhe prostitucion.