Mërgimtarët do të vendosin fituesin përfundimtar
Në disa cikle zgjedhore në vend, në komunat rurale Qendër Zhupë dhe Mavrovë–Rostushë nuk arrihet censusi, respektivisht pjesëmarrja e 1/3 së votuesve. Shkaku kryesor është migrimi masiv i popullsisë nga të dy komunat dhe pamundësia për të siguruar numrin e nevojshëm të votuesve. E njëjta situatë u përsërit edhe në zgjedhjet lokale të 19 tetorit, kur në komunën Qendër Zhupë dolën në votime vetëm 21.30 për qind e votuesve, ndërsa në komunën Mavrovë–Rostushë 28.58 për qind.
Në Komisionin Komunal Zgjedhor të Qendër Zhupës theksojnë se një situatë e tillë përsëritet çdo herë që mbahen zgjedhje, qofshin ato lokale, parlamentare apo presidenciale. “Numri i votuesve në këtë komunë është shumë i vogël dhe në disa raste kanë ardhur edhe shumë mërgimtarë për të votuar”, thotë kryetari i komisionit, Nexhip Iljas.
Edhe përfaqësuesit e shtabeve të partive politike pranojnë se kjo situatë është e përsëritur. Prandaj, në raundin e dytë të zgjedhjeve, partitë organizojnë transport falas me autobusë nga Italia, ku jeton pjesa më e madhe e mërgimtarëve, për të sjellë në vendlindje një numër të madh votuesish. “Faktikisht, ata janë ata që vendosin se kush do t’i fitojë zgjedhjet për kryetar të komunës”, thotë Elmas F. nga fshati Papranik i Madh, duke shtuar se e njëjta gjë ka ndodhur në tre ciklet e fundit zgjedhore.
Pas dy javësh, kjo komunë pritet të zgjedhë kryetarin e ri. Pa census mbeti edhe Komuna Mavrovë–Rostushë në zgjedhjet lokale të fundit. Nga Komisioni Komunal Zgjedhor në Rostushë informojnë se problemi me censusin tashmë është bërë një “sëmundje kronike”. “Pjesa më e madhe e popullsisë është në mërgim në disa shtete të Evropës, kryesisht në Itali. Më 19 tetor erdhën disa grupe për të votuar, por pas dy javësh pritet që ardhja të jetë masive, pasi partitë po organizojnë transport falas për mërgimtarët me qëllim që ata të votojnë për kandidatët për kryetar”, thotë banori i fshatit Skudrinjë, Etem M.
Ai shton se pa ardhjen e mërgimtarëve nuk mund të arrihet cenzusi. Edhe përfaqësues të shtabeve politike pohojnë se planifikojnë të sjellin mërgimtarë, kryesisht nga Italia, për të votuar në raundin e dytë. “Besojmë se edhe kësaj here, në raundin e dytë, do të jenë mërgimtarët ata që do të vendosin fituesin”, thotë një përfaqësues partie.
Megjithatë, ata theksojnë se migrimi masiv ka ndikuar negativisht edhe në funksionimin e vetë komunës. Fadrije R. nga fshati Rostushë tregon se vala e migrimit nuk ndalet, pasi fshatrat nuk kanë perspektivë. “Papunësia është e madhe, biznese nuk ka dhe, si pasojë, popullsia e re po e braktis vendlindjen”, thotë ajo.
Të dy komunat deri vonë rrezikonin ekzistencën për shkak të censusit, por me ndryshimet e fundit ligjore është mundësuar që në raundin e dytë për zgjedhjen e kryetarit të komunës të mos kërkohet më census. Sipas ligjit, fiton kandidati që merr më shumë vota. Migrimi është dukuri që ka goditur edhe Dibrën për dekada me radhë. Edhe në zgjedhjet e fundit të 19 tetorit u vërejt rënie e pjesëmarrjes në votime. Në Dibër votuan vetëm 39.63 për qind e votuesve, mbi 8 për qind më pak krahasuar me zgjedhjet e fundit lokale. /Koha/