Mediat gjermane për protestat në Serbi: Autokracia e Vuçiqit po lëkundet
Situata në Serbi po përshkallëzohet çdo ditë, ndërsa protestat që filluan si reagim kundër korrupsionit janë kthyer në një sfidë të hapur ndaj pushtetit. Sipas agjencisë gjermane të lajmeve KNA, qeveria e presidentit Aleksandar Vuçiq po përballet me një valë të re mosbindjeje civile, të udhëhequr nga studentët dhe qytetarët e thjeshtë.
“Me barrikada, kontejnerë dhe bllokime të rrugëve, protestuesit kanë paralizuar përkohësisht jetën në Beograd, Novi Sad dhe qytete të tjera,” raporton KNA. Kulmi i zemërimit erdhi pas protestave masive të së shtunës, ku mbi 100 mijë qytetarë dolën në rrugët e kryeqytetit për të kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Paqësorë, por të vendosur: Protestat që po lodhin shtetin
Sipas gazetës gjermane Tagesspiegel, metoda e protestës është një kombinim i paqes dhe kreativitetit – një strategji që e ka vënë policinë përballë një sfide të papritur. “Në Beograd është bërë e pamundur të planifikosh ditën. Rrugët janë të bllokuara, transporti publik i paralizuar dhe policia reagon me njësi speciale, të armatosura dhe të maskuara,” thekson gazeta.
Vetëm të mërkurën, rreth 30 linja urbane u anuluan. Qindra qytetarë janë arrestuar – shumica prej tyre protestues paqësorë. Mosbindja civile, bllokadat e universiteteve dhe ndalimi i trafikut janë shndërruar në armët më të forta të qytetarëve.
28 Qershori – Dita që ndryshoi gjithçka
Përplasjet më të rënda ndodhën më 28 qershor, kur policia ndërhyri ashpër ndaj protestuesve. “Më 29 qershor, Vuçiq shpalli fitoren. Por studentët numëronin kokat e përgjakura dhe të arrestuarit. Dhe vetëm një orë më pas, i gjithë Beogradi u bllokua – nga urat e lumit Sava deri në kryqëzimet më të mëdha,” shkruajnë mediat.
Protestuesit po përdorin një taktikë të zgjuar: barrikada të përkohshme që vendosen dhe hiqen sipas lëvizjeve të policisë, për ta lodhur sistemin. Nën temperaturat përvëluese, forcat e rendit janë të rraskapitura dhe moralisht të thyera.
“Kur qytetarët nuk kanë më frikë”
Raporti përmbyllet me një koment të fortë nga një student 20-vjeçar, që përmbledh shpirtin e protestës:
“Nuk ka asgjë më të rrezikshme për një regjim autoritar sesa kur qytetarët nuk i frikësohen më dhe fillojnë të tallen me autokratët.”