Më shumë se gjysma e të rinjve në vend janë përballur me korrupsion në arsim
54% e të rinjve në vend, tashmë janë përballur me korrupsion në arsim, rreth 69% pranojnë se korrupsioni i demotivon dhe e rrënon besimin në punë dhe dije, ndërsa vetëm 8% besojnë se Institucionet luftojnë vërtetë kundër korrupsionit. Kështu thonë të dhënat e projektit “Të rinjtë në RMV, hallkë kyçe në ndërtimin e një shoqërie pa korrupsion”. Në kuadër të projektit është krijuar edhe një aplikacion “Zëri i të rinjve kundër korrupsionit” ku përveç karakterit edukativ, ka edhe lidhje të drejtpërdrejtë për te komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit, ku mund të bëhen denoncime në mënyrë anonime. Aplikacioni tashmë është aktiv.
“Një prej gjetjeve është se 50 % e të rinjve, tashmë janë ballafaquar me problemin me korrupsionin, veçanërisht në pjesën e arsimit, ryshfet për nota, blerje të diplomës dhe kështu me radhë. Por fakt inkurajues është se gjysma e të rinjve në hulumtim, kanë deklaruar se nëse ka mekanizma adekuate dhe të besueshme, të njëjtën do të denonconin”, tha Aneta Filiposka, Iniciativa për integrime qytetare Gostivar.
“Ky projekt na mundësoi të krijojmë dhe ta lëshojmë në përdorim një aplikacion për telefon mobil, që mundëson denoncim anonim të korrupsionit, por përmban edhe materiale edukative që të rinjtë mund t’i shfrytëzojnë në sistemin arsimor formal ose joformal”, u shpreh Maja Hristovska, Analitika Tink-Tank.