
Më pak se 500 kandidatë aplikuan për zjarrfikës, interes i dobët në Shkup
Më pak interes për aplikim në shpalljen publike për punësim të përkohshëm të personave që do të marrin pjesë në shuarjen e zjarreve ka në Shkup, transmeton Portalb.mk.
Afati i fundit për regjistrim në këtë thirrje përfundoi dje. Aplikantët do të kontaktohen, pas së cilës ata do të duhet t’i nënshtrohen një trajnimi dy-ditor, gjatë të cilit do të bëhet përzgjedhja e tyre.
Siç informoi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, deri më tani, janë paraqitur më pak se 500 kandidatë.
“Në këtë moment, kemi pak më pak se 500 kandidatë të regjistruar në territorin e vendit. Na duhen 400. Fatkeqësisht, numri në Shkup është pak më i ulët, nën 50, dhe prisnim 80 persona”, tha Angellov.
Në dy-tre ditët e ardhshme, shtoi ai, ata do të thirren në departamentet lokale të zjarrfikësve territorialë dhe do të fillojnë të paktën dy ditë trajnim, gjatë të cilave do të kryhet përzgjedhja.
Në Njësinë e Specializuar që do të krijohet, pagat e punonjësve do të jenë më të larta se pagat e zjarrfikësve, sepse këta individë do të angazhohen në terrene të vështira për t’u qasur.
Punësimi i zjarrfikësve është rezultat i nevojës së vendit për të plotësuar zbrazëtirat nëpër ekipet komunale të zjarrfikësve.
Ky konkurs është në kuadër të Planit për punësimi në vitin 2025, përmes së cilës planifikohet një sistem efikas dhe funksional i mbrojtjes.
Ngjashëm si vitet e kaluara, edhe sivjet vendi përballet me shumë zjarre në pyje.
Kujtojmë dhe se në RMV është ndaluar lëvizja në pyje që nga 1 korriku e deri në fund të gushtit.
Madje, në vitin 2024, 126 zjarre pyjore dogjën mbi 94.000 hektarë në Maqedoni, që është pothuajse aq sa dhjetë vitet e mëparshme së bashku, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS).