Me deklaratë te mjeku amë, secili do të mund të shprehet nëse dëshiron të jetë dhurues organesh
Qeveria e Maqedonisë së Veriut, me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë e ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për marrjen dhe transplantimin e pjesëve të trupit të njeriut për qëllime shërimi, raporton Portalb.mk.
Me ndryshimet e propozuara, çdo qytetar madhor, gjatë vizitës te mjeku i tij amë, do të japë një deklaratë nëse pajtohet ose jo që pas vdekjes së tij të jetë dhurues i organeve dhe indeve për qëllime shërimi.
“Kjo deklaratë do të evidentohet në listën e sistemit kombëtar të evidencave elektronike në shëndetësi “Termini im”. Ligji parashikon gjithashtu mundësinë që qytetari në çdo kohë ta ndryshojë vendimin e tij”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Me këto ndryshime, për herë të parë shteti do të ketë një pasqyrë më të saktë mbi gatishmërinë e qytetarëve, si dhe mbi nivelin e informimit dhe besimit të tyre ndaj dhurimit të organeve.
Njëkohësisht, me ndryshimet e propozuara zgjerohet edhe rrethi i dhuruesve të gjallë, kështu që përveç të afërmve të përfshirë deri më tani, do të përfshihen edhe të afërm të tjerë në vijë anësore deri në shkallën e katërt të farefisnisë, përkatësisht edhe kushërinjtë e parë.
Ndërkohë, mbetet në fuqi mekanizmi mbrojtës përmes komisionit etik, i cili do të verifikojë vullnetarizmin e aktit dhe mungesën e çdo forme presioni.
Për më tepër, parashikohen edhe zgjidhje të tjera për lehtësimin e procedurave, përfshirë thjeshtimin e hapave administrativo-teknikë në pjesën e përcaktimit dhe konfirmimit të vdekjes së trurit.
“Me këtë zgjidhje ligjore bëjmë një hap të rëndësishëm drejt një sistemi në të cilin vullneti i qytetarit do të shprehet qartë, do të mbrohet më shumë dhe do të respektohet në mënyrë më konsekuente”, thotë ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Ai shtoi se akti i dhurimit të organeve do të buronte nga një vendim i lirë dhe i informuar.
Në të njëjtën kohë, shtoi ai, me zgjerimin e rrethit të dhuruesve të gjallë krijojmë mundësi të reja për trajtim mjekësor, gjithmonë brenda kornizave të rrepta mjekësore, etike dhe ligjore.