Mbi shpinën e robotëve: Vuçiç vizaton hartën e re ku Kosova mbetet “peng” i Serbisë deri në 2030
Në një skenë që dukej si e shkëputur nga filmat e ardhmes, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, prezantoi strategjinë kombëtare “Serbia 2030”. Ngjarja nisi në mënyrë të pazakontë në Pallatin e Serbisë, ku presidenti u përshëndet nga një robot humanoid kinez i kompanisë “Agibot”, duke simbolizuar drejtimin e ri teknologjik që synon të marrë vendi.
Pavarësisht retorikës për paqe dhe dialog, Vuçiq rikonfirmoi se vija e kuqe e Beogradit mbetet e pandryshuar. Ai e prezantoi Kosovën si pjesë integrale të planeve të tij politike dhe ushtarake për dekadën e ardhshme.
Ai theksoi se Kushtetuta e Serbisë e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj, pavarësisht njohjeve ndërkombëtare. Gjithashtu paralajmëroi investime masive në infrastrukturën serbe në Kosovë, duke përfshirë shkolla, spitale dhe objekte fetare.
Vuçiq foli edhe për zhvillimet ndërkombëtare, duke shprehur shqetësimin për përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit. Sipas tij, bota po hyn në një epokë të re ku rregullat ndërkombëtare mund të mos respektohen më dhe ku ekziston rreziku i përdorimit të armëve që në histori janë përdorur vetëm një herë, duke aluduar për armët bërthamore.
Në fushën e mbrojtjes, ai njoftoi se Serbia do të investojë në teknologji të avancuara ushtarake. Në fund të prillit pritet të nisë prodhimi i plotë i dronëve të sofistikuar në bashkëpunim me një partner të huaj, duke iu referuar grupit çek CSG dhe teknologjisë izraelite.
Vuçiq tha se synohet krijimi i një “ushtrie digjitale” dhe një sistemi të integruar mbrojtës të bazuar në inteligjencën artificiale. Ai përmendi gjithashtu plane për prodhimin e rreth 1.000 robotëve humanoidë dhe 10.000 qenve robotikë për qëllime të ndryshme, përfshirë kontrollin e kufijve.
Duke folur për politikën e jashtme, presidenti serb tha se Serbia është e vetëdijshme për fuqinë e NATO-s dhe nuk dëshiron të bëhet sërish viktimë e konflikteve, por theksoi se vendi do të vazhdojë të ruajë balancën mes Perëndimit dhe partnerëve si Rusia dhe Kina. Ai njoftoi gjithashtu bashkëpunim me kompaninë ruse Rosatom në fushën e teknologjisë bërthamore civile, duke e cilësuar energjinë si një nga shtyllat e sigurisë kombëtare.