Mbi 150 mijë punëtorë paguhen më pak se 500 euro, të shtunën protesta masive në Shkup
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) ka bërë thirrje për protestë më 14 mars në Shkup, duke theksuar se mijëra punëtorë në vend jetojnë në kushte të varfërisë për shkak të pagave të ulëta.
Sipas të dhënave të publikuara nga sindikata, 154.408 punëtorë në Maqedoninë e Veriut marrin paga më të ulëta se 30.000 denarë në muaj. Kjo shifër përfaqëson rreth një të tretën e punonjësve në vend, të cilët megjithëse janë të punësuar, jetojnë nën pragun e varfërisë.
Të dhënat e Drejtorisë për të Ardhura Publike tregojnë se në vend janë gjithsej 503.031 persona që marrin paga. Ndërkohë, pragu i varfërisë në Maqedoninë e Veriut vlerësohet në rreth 31.200 denarë, çka do të thotë se një numër i madh i të punësuarve nuk arrijnë të sigurojnë të ardhura të mjaftueshme për një jetë dinjitoze.
LSM thekson se rritja e pagës minimale do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e të ardhurave për këta 154 mijë punëtorë dhe do të sjellë rritje edhe të pagave të tjera.
Sindikatat u bëjnë thirrje të gjithë punëtorëve, familjarëve të tyre dhe veçanërisht atyre që marrin paga nën 30 mijë denarë, t’i bashkohen protestës që do të nisë më 14 mars në ora 12:05 para Shtëpisë së Punëtorëve në Shkup dhe do të vazhdojë drejt Kuvendit, Odës Ekonomike dhe Qeverisë.
Sipas LSM-së, rritja e pagës minimale është thelbësore për përmirësimin e standardit të jetesës së punëtorëve dhe për këtë arsye kërkohet mobilizim i gjerë për të mbështetur këtë kërkesë.VOXAL