
Mbeturinat, ajri dhe transporti, temat kryesore në programet e kandidatëve për kryetar të Qytetit të Shkupit
Pothuajse të gjithë kryetarët potencialë të Qytetit të Shkupit, të cilët kandidojnë në zgjedhjet e ardhshme lokale, kanë një premtim të përbashkët, atë se do t’i mbledhin mbeturinat rregullisht dhe do të sigurojnë kosha për mbeturina, kontejnerë dhe kamionë të mjaftueshëm për mbeturinat. Edhe pse janë kandidatë për njeriun e parë të një kryeqyteti në Evropë dhe edhe pse jemi në shekullin e 21 ata ende flasin për gjëra elementare si mirëmbajtja e parqeve dhe gjelbërimit, duke u premtuar mbi 600.000 banorëve se do të fillojnë të punojnë për të siguruar transport publik efikas dhe se do të kërkojnë mënyra që familjet të mos djegin dru për ngrohje. Të gjithë premtojnë pastrimin e ajrit, edhe pse banorët e Shkupit kanë dëgjuar shumë premtime gjatë viteve të kaluara, por nuk kanë parë shumë zgjidhje për këtë temë, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Premtimet, nga ato për nevojat themelore, të cilat duhej të kishin funksionuar në mënyrë perfekte që shumë kohë më parë dhe që vetëm duhet të përmirësohen, janë njëkohësisht të ndërthurura me plane ambicioze dhe disi jorealiste për një qytet që e jeton realitetin e Shkupit, të shkruara sa për t’i mbushur programet.
Ish-ministrja e mjedisit jetësor dhe kandidatja e Koalicionit të udhëhequr nga LSDM-ja, Kaja Shukova, ndotjen e ajrit e sheh si problemin numër një në Shkup. Ajo thotë se do të punojë për ndryshimin e ngrohjes me dru, qymyr dhe materiale mbeturinash tek amvisëritë, të cilat kontribuojnë për 50 përqind të ndotjes së ajrit dhe emetimeve të mëdha të PM10 dhe PM2.5, të trafikut, i cili është burimi i dytë më i madh i ndotjes së ajrit në mjedisin urban, të industrisë dhe për përmirësimin e efikasitetit energjetik dhe të planifikimit urbanistik. Shukova, ashtu si kandidatët e tjerë, zgjidhje sheh në zgjerimin e rrjetit e furnizimit me ujë të ngrohtë, në aplikimin e burimeve të rinovueshme të energjisë në ndërtesat publike, përforcimin e inspektimeve, monitorimin më të mirë, korridoret e gjelbra, e madje edhe në ndalimin e përdorimit të drurit dhe qymyrit për ngrohje. Ajo premton 10.000 pemë të reja në të gjithë qytetin, parqe dhe kopshte të reja urbane, përmirësimin e pastërtisë dhe mbledhjen e rregullt të mbeturinave.
Për Shukovën reduktimi i ndotjes së ajrit do të arrihet me përforcimin e transportit publik. Ajo e aktualizoi idenë e transportit BRT dhe atë me dy linja, nga Gjorçe Petrov deri në Novo Lisiçe dhe nga Kisella Voda deri në Çair, si dhe premton edhe autobusë të rinj ekologjikë, ndërtimin e 50 kilometrave shtigje të reja për biçikleta dhe një sistem për ndarjen e biçikletave.
Kandidati i partisë “Të Pavarurit Bashkë”, Goran Markovski, në programin e tij për zgjedhjet lokale thotë se sfidat më të mëdha për Shkupin janë në fushën e mjedisit jetësor. Qytetarët janë të pakënaqur me cilësinë e ajrit, ndotja me PM 2.5 është ndër më të lartat në Evropë, menaxhimi i mbeturinave është joefikas – nuk ka kontejnerë të mjaftueshëm, selektimi primar është i dobët ose mungon tërësisht dhe ka deponi ilegale, zjarre në deponi, zhurmë dhe papastërti në zonat publike.
Markovski premton një reduktim të ndotjes së ajritme PM2.5 për të paktën 25 përqind dhe rritjen e riciklimit të mbeturinave në 25 përqind deri në vitin 2029, pastaj mirëmbajtje dhe përmirësim të Kadastrës së Gjelbër, ndërtim të korridoreve të gjelbra në të gjithë qytetin dhe një program të ri “Brezi i Gjelbër” me 500.000 pemë dhe çati me gjelbërim. Ai bën thirrje që kodra Gradishte me Kalanë dhe MAB të shpallet zonë e mbrojtur, ndërsa bregu i lumit Vardar të bëhet një autostradë qyteti për biçikleta.
Edhe Markovski është për efikasitet energjetik dhe për rritjen e përdorimit të burimeve të rinovueshme të energjisë, si dhe përfshirjen e efikasitetit energjetik industrial në planifikimin urbanistik. Ai propozon organizimin e pikave të grumbullimit për mbledhjen e ndarë të mbeturinave të tekstileve dhe gomave, instalimin e stacioneve të reja të matjes së cilësisë së ajrit dhe portal publik të të dhënave digjitale, shfrytëzimin e energjisë nga mbeturinat, si dhe prezantimin e ishujve të gjelbër për selektim nëpër lagje dhe smart kontejnerëve.
Amar Mecinoviq, kandidati i për kryetar të Qytetit të Shkupit nga partia “E Majta”, thotë se autoritetet deri më tani i kanë trajtuar simptomat në vend të burimeve të ndotjes së ajrit dhe thekson se në vend që të sanksionohen ndotësit e vërtetë gishti drejtohet nga të varfrit.
“Numri i inspektorëve ekologjikë duhet të rritet, të pajisen me dronë për punë më efikase në terren dhe bashkëpunimi me Ministrinë e Mjedisit Jetësor duhet të përmirësohet”, theksoi Mecinoviq dhe njoftoi se duke e zgjidhur problemin e transportit publik, të cilin ai thotë se është fokusi kryesor i programit të tij, do të zgjidhen shumica e problemeve në Shkup, përfshirë këtu edhe ndotjen e ajrit.
Mecinoviq e mbështet idenë për një tren urban, e madje premton edhe një hekurudhë të ngritur nga Novo Lisice deri në Gjorçe Petrov, e cila duhet të plotësohet me autobusë elektrikë. Kandidati i partisë “E Majta” investimet në transport i vlerëson në mbi 700 milionë euro dhe beson se ato mund të realizohen deri në vitin 2033.
Në programin e tij “Shkupi tani”, ai premton prezantimin e një sistemi të automatizuar për vetëpastrimin e rrugëve dhe bulevardeve në Shkup duke përdorur spërkatës të integruar, të vendosur përgjatë rrugëve më të frekuentuara, një Ligj të veçantë për Vodnon dhe një moratorium për ndërtimin e objekteve të reja në Vodno, stacione inovative të autobusëve, trenave dhe monorail rezistente ndaj klimës, polici komunale dhe të tjera.
Kandidati i VMRO DPMNE-së dhe kryetari aktual i komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski, thotë se ka një vizion shumëvjeçar për Shkupin, të cilin e bazon në shtatë shtylla, e para prej të cilave është mjedisi jetësor i shëndetshëm dhe biodiversiteti dhe përmes të cilave dëshiron që Shkupi të bëhet një qytet ekologjik.
Në programin e tij ai thotë se një qytet modern nuk mund të jetë i shëndetshëm, i gjallë dhe elastik pa kujdes të plotë për mjedisin jetësor dhe biodiversitetin. Edhe ai e sheh si problem papastërtinë dhe premton se do të bëjë një pastrim gjeneral të kryeqytetit në 72 orët e para. Ai premton një qytet pa deponi, eko brigada prej 15 profesionistësh që do t’i pastrojnë deponitë e paligjshme pesë ditë në javë, gjatë gjithë vitit, si dhe peizazhe të planifikuara shkencërisht dhe korridore të gjelbra, ndërsa për ta përmirësuar cilësinë e ajrit ai propozon elektrifikimin e transportit publik dhe madje edhe ndalimin e lëndëve djegëse të ngurta. Gjorgjievski ofron një Plan për Ajër të Pastër që ai planifikon ta financojë përmes një fondi ekologjik me të cilin do t’i zëvendësojë metodat e ngrohjes, do ta zgjerojë rrjetin e ngrohjes dhe do të ndajë subvencione për efikasitet energjetik.
Ai premton më shumë inspektorë, shtigje për biçikleta dhe këmbësorë, rritje të sipërfaqeve të gjelbra, ndërtimin e mega-parqeve dhe zgjerimin e gjelbërimit të qytetit, ndërsa qëllimi përfundimtar, siç thuhet në program, është që Shkupi të bëhet një qytet pa dioksid karboni. Gjorgjievski merret edhe me deponinë Vardarishte, të cilën thotë se do ta kthejë një mega-park, ndërsa Rasadnikun të jetë një pyll qyteti, edhe pse në vitet e fundit atje kanë mbirë vetëm ndërtesa. Ai planifikon edhe dy mega-parqe të tjera në Butel dhe Gjorçe Petrov, si dhe 50 parqe nëpër lagje.
Kandidati i VMRO DPMNE-së thotë se brenda gjashtë muajshdo t’i pastrojë të gjitha deponitë ilegale, do të blejë kamionë dhe kontejnerë mbeturinash, ndërsa premton edhe kamionë që do t’i mbledhin vazhdimisht mbeturinat e mëdha dhe të ambalazhit nga amvisëritë, si dhe se do ta bëjë Drisllën një deponi evropiane.
Ndryshe, zgjedhjet lokale të këtij viti do të mbahen më 19 tetor. Fushata zgjat pandërprerë deri më sot,17 tetor, ndërsa fushata për rrethin e dytë, i cili do të mbahet më 2 nëntor, do të vazhdojë deri më 31 tetor.
