Mashtruan me call center, burg për 8 të arrestuarit
Gjykata e Posaçme la në burg 8 të arrestuarit në kuadër të operacionit që goditi një aktivitet mashtrues të një call center-i në Tiranë.
Seanca për masat e sigurisë zgjati mbi 5 orë dhe u zhvillua me dyer të mbyllura. Në përfundim, gjyqtarja Flojera Davidhi la në fuqi masat, duke vlerësuar se për dy nga të arrestuarit ka nevojë për prova të tjera për rolin e tyre, të cilat duhet të dorëzohen në gjykatë brenda afatit 20-ditor.
SPAK regjistroi hetimin për mashtrim kompjuterik si grup kriminal më 9 janar të këtij viti, pas një materiali investigativ të emisionit italian “Le Iene”, duke zbuluar në qendër të Tiranës 2 ambiente ku mashtronin qytetarë italianë, gjermanë dhe spanjollë.
Sipas SPAK, pjesë e këtij grupi ishin shtetas shqiptarë dhe italianë; ata vepronin të organizuar me role të ndryshme dhe synonin jo vetëm Italinë, por edhe Francën, Spanjën dhe Gjermaninë.
Pagesat, të mashtruarit i kryenin në kriptovalutë në portofole të monedhave virtuale të menaxhuara nga drejtuesit e këtij aktiviteti të kundërligjshëm, duke përdorur platforma mashtruese.
Gjatë operacionit u kryen 28 kontrolle, ku u sekuestruan pajisje kompjuterike, makina luksoze dhe motomjete.