Maqedonia e Veriut nga sot zyrtarisht pjesë e SEPA-s: Pagesa më të lehta dhe më të shpejta në euro
Ministria për Çështje Evropiane informon se që nga sot, 7 tetor 2025, Republika e Maqedonisë së Veriut zyrtarisht fillon aplikimin e Zonës së vetme të pagesave në euro (SEPA), me çka qytetarët dhe kompanitë do të mund të kryejnë dhe të pranojnë pagesa në euro drejt vendeve anëtare dhe nga vendet anëtare të SEPA-s me kushte të njëjta si në Bashkimin Evropian, transmeton Portalb.mk.
“Sot, me fillimin e aplikimit praktik për transaksione më të lehta, më të shpejta dhe më të lira në euro, Maqedonia e Veriut zyrtarisht u bë pjesë aktive e Zonës evropiane të pagesave, që është hap i rëndësishëm në avancimin e integrimit me tregun e vetëm evropian.
Bashkimi me SEPA-n është pjesë e aktiviteteve në kuadër të Planit të rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, i cili ka për qëllim të përshpejtojë integrimin ekonomik të vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian përmes rritjes së qasjes në tregun e vetëm, shtytjen e investimeve dhe avancimin e shërbimeve financiare.
Ky progres i rëndësishëm është rezultat konkret i përpjekjeve të Qeverisë dhe Ministrisë për Çështje Evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut për zbatimin e standardeve evropiane dhe për përmirësimin e kushteve për qytetarët dhe bizneset. Me zbatimin e pagesave SEPA, vendi ynë po afrohet drejt rrjedhave financiare evropiane dhe konfirmon progresin e tij të vazhdueshëm në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, thonë nga MÇE.
Aplikimi i Maqedonisë së Veriut u pranua nga Këshilli Evropian i Pagesave më 6 mars të këtij viti, duke zyrtarizuar kështu anëtarësimin në SEPA.
Tregu Unik i Pagesave në Euro (SEPA) është një iniciativë e industrisë bankare dhe të pagesave evropiane e përfaqësuar nga Këshilli Evropian i Pagesave, e mbështetur nga Komisioni Evropian dhe institucione të tjera të BE-së për të rritur efikasitetin e pagesave në euro dhe për të zhvilluar dhe thelluar më tej tregun e vetëm evropian. Ajo u krijua në vitin 2008 dhe u zbatua plotësisht në vitin 2014.