Maduro nënshkruan dekret për kompetenca shtesë sigurie në rast ndërhyrjeje të SHBA-së
Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, ka nënshkruar një dekret që i jep kompetenca shtesë sigurie në rast se ushtria amerikane hyn në vend, njoftoi zëvendëspresidentja Delcy Rodriguez të hënën.
Masa përbën përshkallëzimin më të fundit të tensioneve mes dy vendeve, teksa Maduro ka akuzuar publikisht administratën e presidentit amerikan Donald Trump se po përgatit një plan për ta rrëzuar nga pushteti.
Sipas dekretit, presidenti mund të mobilizojë forcat e armatosura në të gjithë territorin dhe t’u japë ushtrisë autoritet mbi shërbimet publike dhe industrinë e naftës. Kompetencat vlejnë për një periudhë 90-ditore, me mundësi rinovimi edhe për 90 ditë të tjera, sipas kushtetutës së Venezuelës.
SHBA ka dislokuar një flotë luftanijesh në Karaibe, duke thënë se operacioni ka për qëllim luftën kundër trafikut të drogës. Në javët e fundit, ushtria amerikane ka goditur disa anije që pretendohej se transportonin drogë nga Venezuela, duke vrarë personat që ndodheshin në to – një veprim për të cilin ekspertë ndërkombëtarë kanë ngritur dyshime mbi legalitetin.
Megjithatë, privatisht, Maduro ka kërkuar të zbusë marrëdhëniet me Uashingtonin, duke i dërguar një letër presidentit Trump më herët këtë muaj, ku ofroi dialog dhe shprehu dëshirën që marrëdhëniet mes dy vendeve të jenë “historike dhe paqësore.”
Ndërkohë, media amerikane NBC raportoi se zyrtarë të ushtrisë amerikane po hartojnë plane për të goditur objektiva të dyshuara brenda Venezuelës, të lidhura me trafikun e drogës.
“Qeveria amerikane dhe krimineli i luftës Marco Rubio po kërcënojnë Venezuelën,” tha Rodriguez para diplomatëve.
Në ditët e fundit, ushtria venezueliane ka zhvilluar stërvitje me pjesëtarë të milicive vullnetare, ku qytetarëve u është mësuar përdorimi i armëve, në përgatitje për një inkursion të mundshëm amerikan.
Departamenti i Shtetit i SHBA-së nuk ka dhënë asnjë koment të menjëhershëm mbi zhvillimet.