LSDM: Vendimi për paraburgim shtëpiak për Grubin është politik, jo juridik
Partia opozitare LSDM ka reaguar ashpër pas vendimit për paraburgim shtëpiak ndaj Artan Grubi, duke e cilësuar atë si vendim politik dhe jo juridik. Sipas tyre, bëhet fjalë për pasojë të një marrëveshjeje politike dhe për, siç thonë, një sistem gjyqësor dhe prokurorial tërësisht të kontrolluar nga VMRO-DPMNE.
Nga LSDM theksojnë se prej muajsh kanë paralajmëruar se gjyqësori dhe prokuroria janë vendosur nën kontroll të drejtpërdrejtë të kryeministrit Hristijan Mickoski dhe strukturave partiake.
“Ndrrohet prokurori publik për të vendosur një prokuror nën kontrollin e pushtetit, eliminohen kandidatë të pavarur dhe instalohen kuadro partiake. Bashkëshortja e një ish-kryetari komune nga VMRO u emërua anëtare e Këshillit Gjyqësor. Një këshilltar i Mickoskit u zgjodh në Gjykatën Kushtetuese. Zëdhënësja e Qeverisë i di vendimet gjyqësore për raste që janë në proces. Shefi i prokurorit që kërkoi paraburgim shtëpiak për Grubin u zgjodh në këtë funksion në Prokurorinë Publike të Shkupit vetëm një muaj më parë. Kujt nuk i është e qartë më?”, thuhet në reagim.
LSDM vlerëson se paraburgimi shtëpiak për Grubin është, sipas tyre, dëshmi se drejtësia është “varrosur” dhe se në vend nuk ka shtet juridik, por marrëveshje për qëllime politike dhe fushatë të pushtetit.VOXAL