
Llogaritjes verore të kohës po i vjen fundi, ja kur duhet t’i ktheni akrepat e orës prapa
Të dielën, më 26 tetor 2025, përfundon llogaritja verore e kohës, njoftoi Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale. Pikërisht në orën 03:00 të mëngjesit, akrepat e orës do të kthehen një orë prapa, që do të thotë se ora në orën 03:00 do të konsiderohet 02:00 e mëngjesit, transmeton Portalb.mk.
Me këtë, Maqedonia kthehet në llogaritjen dimërore të kohës, që do të thotë se qytetarët do të flenë një orë më shumë natën midis të shtunës dhe të dielës.
Ministria kujton se ky ndryshim zbatohet çdo vit, në përputhje me vendimin e Qeverisë, me qëllim harmonizimin me rregulloren evropiane për llogaritjen e kohës.
“Llogaritja verore e kohës në vitin 2025 filloi më 30 mars, kur akrepat e orës u zhvendosën një orë përpara. Tani, më 26 tetor, ora do të kthehet përsëri një orë prapa”, tha Ministria në njoftim.
Vendimi, i miratuar në një seancë qeveritare më 28 mars 2025, u botua në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut” nr. 68.
Ora verore dhe dimërore futen me qëllim të shfrytëzimit më të mirë të dritës së ditës dhe efikasitetit të energjisë, dhe kjo praktikë zbatohet në shumicën e vendeve evropiane.
