
Lindja e foshnjës “më të vjetër” në botë
Thaddeus Daniel Pierce lindi më 26 korrik në shtetin amerikan të Ohajos, dhe ajo që e bën atë të veçantë është fakti se ai vjen nga një embrion i ngrirë më shumë se tridhjetë vjet më parë – në vitin 1994, përpara se prindërit e tij aktualë, Lindsey dhe Tim Pierce, të fillonin shkollën fillore.
“Nuk kishim ndërmend të thyenim ndonjë rekord. Ne vetëm donim të kishim një fëmijë,” tha Lindsey për MIT Technology Review, duke shtuar se Thaddeus tani ka një “motër 30-vjeçare”. Rekordi i mëparshëm mbahej nga binjakët e lindur në Oregon në vitin 2022, gjithashtu nga një embrion 30-vjeçar.
Embrioni i Thaddeus u krijua gjatë një procedure IVF (inseminim artificial) në vitet 1990 për Linda Archerd dhe ish-bashkëshortin e saj, të cilët po luftonin me infertilitetin. Nga katër embrionet e krijuara, njëri u përdor për një shtatzëni që rezultoi në lindjen e një vajze – tani një grua 30-vjeçare dhe nënë e një vajze dhjetëvjeçare. Tre embrionet e mbetura mbetën të ngrira.
“Gjithmonë kam dashur vërtet një fëmijë tjetër. I quaja ‘tre shpresat e mia të vogla’,” tha 62-vjeçarja Linda Archerd.
Është vlerësuar se miliona embrione ndodhen aktualisht në ngrirje në të gjithë botën sepse kanë mbetur gjatë procedurave të fertilizimit in vitro, të cilat zakonisht prodhojnë më shumë embrione sesa mund të implantohen.
Pas divorcit, Archerd iu dha kujdestaria e embrioneve. Disa vite më vonë, ajo mësoi për mundësinë e dhurimit përmes “adoptimit të embrioneve”, një formë dhurimi që shpesh organizohet nga agjencitë e krishtera në SHBA. Ajo pranoi t’i jepte embrionet e mbetura për adoptim dhe ato përfshihen në programin “embrione të vështira për t’u adoptuar”, që zakonisht do të thotë se ato kanë qenë në ruajtje për një kohë të gjatë ose konsiderohen të pamundura për të rezultuar në një shtatzëni të suksesshme.
Lindsey dhe Tim, të cilët tani janë 35 dhe 34 vjeç, iu bashkuan të njëjtit program pas shtatë vitesh përpjekjesh të pasuksesshme për të pasur një fëmijë.
“Kishim një lindje të vështirë, por tani të dy jemi mirë. Thaddeus është një foshnjë e qetë. Jemi të mrrekulluar që e kemi”, tha Lindsey.
Për Linda Archerd, e gjithë përvoja ishte thellësisht emocionale. “Është pak surreale. Është e vështirë të besohet se ka ndodhur“, tha ajo.
Klinika e fertilitetit ku u implantua embrioni drejtohet nga dr. John Gordon, një specialist në endokrinologjinë riprodhuese, i cili mbështet zvogëlimin e numrit të embrioneve të ruajtura. Gordon, përndryshe një presbiterian i reformuar, thotë: “Ne udhëhiqemi nga parimet e besimit. Çdo embrion meriton një shans në jetë. I vetmi embrion që definitivisht nuk do të bëhet fëmijë është ai që nuk i jepet shansi të transferohet në mitër.”
Kujtohet se fëmija i parë i ngjizur me anë të inseminimit artificial, Louise Brown, lindi në vitin 1978 në Britaninë e Madhe, gjë që solli një epokë të re të mjekësisë riprodhuese që u mundësoi miliona çifteve të bëheshin prindër.