
Kuvendi miraton interpelancën për kryeprokurorin Kocevski
Kuvendi me 71 vota “për” dhe asnjë “kundër” apo “të përmbajtur” e ka pranuar interpelancën për punën e Prokurorit Publik të Republikës, Ljupço Kocevski, të parashtruar nga partia E Majta (Levica). Kuvendi konstatoi se pretendimet në interpelancë janë të bazuara, dhe ky konkluzion do t’i dërgohet Qeverisë dhe Prokurorit Publik të Shtetit.
Qeveria më 11 shkurt kishte marrë vendim për të nisur procedurë për shkarkimin e Kocevskit, por për shkak të hetimeve për tragjedinë në Koçan, procedura ishte ndalur përkohësisht. Këshilli i Prokurorëve Publikë, me shumicë votash në prill, mbështeti Kocevskin dhe dha mendim negativ për propozimin e Qeverisë për shkarkimin e tij.
Para seancës, koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikola Micevski, njoftoi se partia do të mbështesë interpelancën për punën e Kocevskit, sepse “nuk ka më vend për kompromise me dështimin dhe se ka ardhur koha për përgjegjësi”.
“Institucionet, në bashkëpunim me prokurorinë, për vite të tëra kanë heshtur përpara skandaleve të mëdha, shumë prej tyre të shkaktuara nga elita e LSDM-së dhe BDI-së, të cilat janë mirë të njohura për opinionin. Këto raste nuk janë dhe nuk guxojnë të harrohen – ato janë ende plagë e hapur e këtij shoqërie. Prokuroria Publike mbeti indiferente dhe pasive përballë këtyre burimeve të padrejtësisë,” tha Mickoski. Sipas partisë në pushtet, Kocevski nuk e ka justifikuar mbështetjen që ka marrë.
“Në vend të reformës dhe integritetit – morëm heshtje dhe servilizëm ndaj pushtetit që u mund nga populli,” shtoi ai.
Deputeti dhe nënkryetari i Kuvendit nga LSDM-ja, Jovan Mitreski, nga ana tjetër, theksoi qëndrimin partiak se interpelanca nuk ka pasoja juridike, dhe për këtë arsye LSDM vendosi të mos marrë pjesë në votim, duke ia lënë vendimin prokurorit nëse do të japë dorëheqje apo jo.
“Prokuroria Publike duhet të jetë e pavarur, e liruar nga ndikimi dhe presioni politik dhe të gjitha vendimet duhet të jenë sipas ligjit dhe kurrsesi ndryshe,” tha ai.
Në interpelancën e parashtruar nga E Majta, ishte theksuar se ajo bëhet për shkak të mosrespektimit të obligimeve kushtetuese dhe ligjore. Kocevski ditëve të fundit ka dorëzuar përgjigje me shkrim ndaj interpelancës së deputetëve Dimitar Apasiev, Borislav Kërmov, Rexhep Ismail, Jovana Mojsoska, Amar Mecinoviq dhe Sashko Jançev, të parashtruar më 26 qershor.
Në letrën e tij si përgjigje ndaj akuzave, kryeprokurori shkruan se interpelanca është një instrument politik dhe jo juridik, i cili vetëm mundëson ndërhyrje në pavarësinë e Prokurorisë Publike në Maqedoni. Kocevski konsideron se funksionin e ushtron ndershëm dhe me përgjegjësi, duke respektuar në maksimum parimet e transparencës dhe llogaridhënies.