Kuvendi mbështet ndryshimet: Deputetët të mos kenë shtetësi të dyfishtë
Kuvendi ka mbështetur ndryshimet në Ligjin për deputetët, me të cilat në të ardhmen të zgjedhurit e popullit nuk do të mund të kenë shtetësi të dyfishtë. Nisma është propozuar nga VMRO-DPMNE, pas vërejtjeve të Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) se një pjesë e deputetëve të pushtetit posedojnë edhe shtetësi bullgare.
Deputeti Antonio Milloshoski deklaroi se ligji, pas miratimit, do të hyjë në fuqi menjëherë dhe do të vlejë edhe për përbërjen aktuale parlamentare.
“Për të qenë deputet në Kuvendin e Maqedonisë, secili do të duhet të ketë vetëm shtetësinë e Maqedonisë. Ligji pritet të hyjë në fuqi me publikimin në Gazetën Zyrtare, që do të thotë se do të vlejë edhe për këtë përbërje aktuale. Deputetët me shtetësi të dyfishtë nuk do të mund të jenë pjesë e Kuvendit”, tha Milloshoski.
Nga ana tjetër, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, shprehu dyshime nëse kjo dispozitë do të zbatohet edhe për deputetët aktualë, duke paralajmëruar amendamente për ta saktësuar këtë çështje. Ai theksoi se do të kërkojnë që ndalimi i shtetësisë së dyfishtë të vlejë edhe për funksionarët e tjerë të zgjedhur dhe të emëruar.
“Është një mashtrim klasik i pushtetit. Propozohet ligj që deputetët të mos kenë shtetësi të dyfishtë, që është në rregull, por askund nuk thuhet qartë se kjo do të vlejë për përbërjen aktuale. Prandaj do ta mbështesim ligjin, por do të reagojmë me amendamente”, deklaroi Filipçe.
Ndërkohë, deputeti Skender Rexhepi nga Fronti Evropian e kundërshtoi këtë zgjidhje, duke e cilësuar si antikushtetuese dhe diskriminuese.
“Shumë qytetarë të Maqedonisë së Veriut kanë edhe shtetësi të Kosovës dhe kanë jetuar historikisht në këto hapësira. Me këtë ligj atyre u mohohet e drejta për të kandiduar për deputetë”, u shpreh Rexhepi.
Reagim pati edhe nga kryetarja e Lidhja Demokratike (LDP), Monika Zajkova, e cila kërkoi që ligji të zbatohet menjëherë, pa përjashtime, dhe të vlejë për të gjithë funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar.