Kuvendi i Maqedonisë hap 33 vende pune – pagat nga 32 deri në 53 mijë denarë
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë do të punësojë deri në 33 persona. Në Agjencinë për Administratë janë publikuar shpalljet ku kërkohen kandidatë të interesuar për të punuar në organin më të lartë shtetëror.
Kushtet për punësim në Kuvend janë më pak a më shumë të njëjta: kërkohet që kandidatët të jenë shtetas të Maqedonisë, të përdorin në mënyrë aktive gjuhën maqedonase, të jenë madhorë, të aftë shëndetësisht dhe pa ndalim gjyqësor për ushtrim të profesionit.
Shtesë, kërkohet:
njohuri aktive të programeve kompjuterike për punë zyre,
provim të kaluar për administratë,
njohje aktive të gjuhës angleze, frënge ose gjermane,
provim të kaluar të jurisprudencës.
Kërkohet arsim i lartë, por për pozicione të ndryshme ka edhe kushte të veçanta shtesë.
Ajo që bie në sy është se pagat për pozicionet që kërkohen variojnë nga 32 mijë denarë, deri në 53 mijë denarë.
Mes pozicioneve që duhet të plotësohen është edhe Bashkëpunëtor për informimin e opinionit në gjuhën shqipe, i cili duhet të ketë fakultet nga fusha e Shkencave Shoqërore – Drejtësi, Shkenca Politike ose Media dhe Komunikim, si dhe së paku 1 vit përvojë pune në profesion. Për këtë pozitë paga arrin 40.707 denarë.
Paga të ngjashme do të ketë edhe përkthyesi nga maqedonisht në shqip dhe anasjelltas, i cili duhet të plotësojë kushte të ngjashme.
Kërkohen edhe disa bashkëpunëtorë të rinj: një për sektorin e burimeve njerëzore, një për redaktim gjuhësor të materialeve, si dhe një për punë zyre dhe arkivimi. Për këto tre pozicione paga do të jetë 37.758 denarë, duke pasur të njëjtat kërkesa.
Pagat më të larta do t’i kenë kandidatët që do të punësohen si Këshilltar i Komitetit për Marrëdhënie Ndëretnike, Këshilltar për interpretim nga maqedonisht në shqip, si dhe këshilltar studiues për ekonominë e tregut. Për këto tre pozita paga arrin deri në 47.303 denarë.
Paga mjaft tërheqëse ka edhe pozita Udhëheqës i sektorit për kopjim dhe kompletim materialesh – 53.434 denarë, si dhe udhëheqës i sektorit për dokumentacion. Kërkohet gjithashtu udhëheqës i sektorit për mbështetje të punës së Kryetarit të Kuvendit, i cili gjithashtu do të marrë mbi 53 mijë denarë.
Në të kundërt, paga më e ulët është për pozitën referent i ri për bashkëpunim multilateral, i cili do të marrë 32.404 denarë, ndërsa sekretari teknik do të marrë pak më shumë – 32.714 denarë.
Një pjesë e shpalljeve skadojnë në ditët e ardhshme: më 13 dhjetor, ndërsa të tjerat më 15, 16, 17… deri më 20 dhjetor. Të gjitha detajet mund të gjenden në ueb-faqen e Agjencisë për Administratë.