Kushtetuesja hedh poshtë ankesat për numrin e këshilltarëve komunal
Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë iniciativën për vlerësimin e vendimit të Qeverisë për numrin e anëtarëve të këshillave komunalë.
Sipas gjyqtares raportuese, Dobrilla Kacarska, Qeveria është organi i vetëm kompetent për të sjellë këtë vendim dhe ai nuk bie ndesh me Kushtetutën. Ajo sqaroi se vendimi nuk krijon diskriminim, pasi në disa komuna numri i këshilltarëve është rritur, ndërsa në disa të tjera është zvogëluar.
Për këtë çështje ishin dorëzuar tre iniciativa nga përfaqësues të Frontit Evropian, të cilët argumentuan se vendimi i Qeverisë bie ndesh me Kushtetutën, Ligjin për vetëqeverisje lokale dhe me të dhënat e regjistrimit të vitit 2021. Ata theksuan se akti i Qeverisë është në kundërshtim me nenin 34 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili përcakton qartë se numri i këshilltarëve në çdo komunë duhet të llogaritet vetëm mbi bazën e numrit të banorëve, pa dallim midis rezidentëve dhe jorezidentëve – standard që ka vlejtur gjithmonë.
Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese vjen pak para mbajtjes së zgjedhjeve lokale.