Kush është Justina Shiroka-Pula, presidentja e re e Kosovës?
Nga auditorët e Universitetit të Prishtinës, në Qeveri e Kuvend, më pas në krye të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe tash në Presidencë. Justina Shiroka-Pula është presidentja e re e Kosovës, pasi siguroi 81 vota në Kuvend.
Përballë saj në garë ishte deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, e cila mori një votë, ndërsa dy fletëvotime u shpallën të pavlefshme. Shiroka-Pula u zgjodh që në raundin e parë dhe më pas dha betimin kushtetues.
Zgjedhja erdhi në minutat e fundit të një dite vendimtare për institucionet e Kosovës. Votimi nisi para mesnatës dhe përfundoi në orën 00:03, ndërsa rezultati u bë i ditur pak minuta më vonë.
Por kush është gruaja që mori drejtimin e shtetit?
E lindur në Prishtinë në vitin 1953, Shiroka-Pula pjesën më të madhe të karrierës së saj e ka ndërtuar në botën akademike. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Prishtinë, ndërsa në vitin 1976 diplomoi në Fakultetin Ekonomik. Studimet pasuniversitare në fushën e teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik i vazhdoi në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Zagreb, ku i përfundoi në vitin 1984.
Ajo ka doktoruar në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës me tezën “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”. Në biografinë zyrtare të ASHAK-ut si vit i doktorimit figuron 1977, megjithëse kjo e dhënë krijon mospërputhje kronologjike me faktin se studimet pasuniversitare në Zagreb thuhet se i ka përfunduar në vitin 1984. Për këtë arsye, viti i doktorimit mbetet jashtë këtij profili.
Hapat e parë profesionalë i bëri në Bankën Popullore të Kosovës, ku u punësua në vitin 1977. Një vit më vonë nisi karrierën akademike në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, fillimisht si asistente në lëndën “Kërkimet Operacionale”. Me kalimin e viteve avancoi në karrierën universitare, ndërsa në vitin 2004 u zgjodh profesoreshë ordinare.
Gjatë angazhimit të saj universitar ka mbajtur një sërë funksionesh akademike dhe drejtuese. Ka qenë pjesë e Senatit dhe Bordit të Universitetit të Prishtinës, ndërsa formimin profesional dhe shkencor e ka plotësuar edhe jashtë Kosovës, përfshirë studime postdoktorale në Universitetin e Lincit në Austri dhe Universitetin e Arizonës në SHBA.
Por Shiroka-Pula nuk është emër i panjohur as në politikën kosovare.
Nga viti 2008 deri më 2011 ajo shërbeu si ministre e Energjisë dhe Minierave në Qeverinë e Kosovës. Më pas, nga viti 2011 deri më 2014, ishte deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Të dhënat për mandatin e saj parlamentar konfirmohen edhe nga arkivi zyrtar i Kuvendit.
Pas angazhimit politik, profili i saj u lidh sërish kryesisht me akademinë. Në vitin 2016 u zgjodh anëtare korrespondente e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2020 u bë anëtare e rregullt. Deri në zgjedhjen presidente, Shiroka-Pula ishte kryetare e ASHAK-ut.
Me zgjedhjen në Presidencë, Justina Shiroka-Pula rikthehet në nivelin më të lartë të jetës institucionale të Kosovës, pas një karriere që për dekada është shtrirë mes akademisë, politikës dhe funksioneve publike./VOXAL/