Kurti: UÇK-ja nuk ishte zgjedhja e një populli që kërkonte luftë, por përgjigjja e një populli që kërkonte liri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar fuqishëm pas shpalljes fajtorë të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit nga Dhomat e Specializuara në Hagë, duke e quajtur aktgjykimin “padrejtësi të papranueshme” dhe duke kërkuar korrigjimin e tij në apel.
https://www.facebook.com/share/v/1bP5c2ziAq/
Kurti gjatë paraqitjes së tij publike tha se vendimi i sotëm nuk mund të shndërrohet në një gjykim ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së saj.
“Aktgjykimi mund të jetë shqiptuar formalisht në emër të popullit të Kosovës, por kjo formulë e zbrazët nuk duhet ngatërruar me vullnetin e popullit”, deklaroi Kurti.
Sipas tij, beteja juridike nuk ka përfunduar.
“Ky aktgjykim patjetër duhet ndryshuar dhe korrigjuar në shkallën e apelit dhe atë sa më parë. Në këto momente të vështira, jemi pranë familjeve të ish-krerëve të UÇK-së dhe të gjithë bashkëluftëtarëve çlirimtarë”, tha kryeministri.
Kurti iu kthye edhe fillesave të procesit që çoi në krijimin e Dhomave të Specializuara, duke përmendur pretendimet për “Shtëpinë e Verdhë” dhe trafikimin e organeve. Ai theksoi se pretendimet më të rënda që shoqëruan ngritjen e Gjykatës nuk u përfshinë në aktakuzë për shkak të mungesës së provave.
Një nga pikat kryesore të reagimit të tij ishte pretendimi se aktgjykimi nuk e konfirmoi tezën se UÇK-ja kishte kryer një sulm të gjerë dhe sistematik kundër popullsisë civile.
Për Kurtin, kjo është thelbësore për mënyrën se si duhet lexuar vendimi: përgjegjësia penale për veprime të caktuara nuk mund të shndërrohet në aktakuzë ndaj gjithë UÇK-së dhe as në gjykim të luftës së saj.
Kryeministri vendosi në qendër të reagimit edhe kontekstin historik në të cilin lindi UÇK-ja, duke përmendur heqjen e autonomisë së Kosovës, përjashtimin e shqiptarëve nga institucionet, burgosjet, vrasjet, masakrat, djegien e vendbanimeve dhe dëbimin masiv të popullsisë shqiptare.
“UÇK-ja nuk ishte zgjedhja e një populli që kërkonte luftë, por përgjigjja e një populli që, i shtypur dhe i kërcënuar në vetë ekzistencën e tij, kërkonte liri”, deklaroi ai.
Kurti ngriti kritika të forta edhe ndaj vetë Dhomave të Specializuara. Sipas tij, fakti që juridiksioni i këtij mekanizmi është përqendruar te pjesëtarët e UÇK-së, ndërsa krimet e forcave serbe trajtohen jashtë tij, ka krijuar perceptimin e një drejtësie selektive.
Ai theksoi njëkohësisht se asnjë vuajtje njerëzore nuk duhet mohuar apo zvogëluar, por kundërshtoi që konstatimet për veprime të caktuara të përdoren për të njollosur UÇK-në në tërësi.
Kurti bëri të ditur se Kosova do të vazhdojë mbështetjen për Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin gjatë procedurës së apelit, duke e cilësuar këtë si përgjegjësi institucionale ndaj qytetarëve dhe si ushtrim të së drejtës për të kundërshtuar një aktgjykim që ende nuk është përfundimtar.
Në fund, kryeministri dha edhe mesazhin më të fortë politik të reagimit të tij:
“Sot u gjykuan akuza dhe veprime të caktuara; nuk u gjykua dhe nuk mund të dënohet arsyeja pse lindi UÇK-ja e as të njolloset ajo.”
Deklaratën Kurti e mbylli me fjalët:
“Sepse kur atdheu nuk duroi më gjakatarë, ai thirri çlirimtarë, dhe emri i tyre ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës.”/VOXAL/