Kurti: Përveç balotazhit do të kemi edhe dy herë zgjedhje parlamentare deri në pranverë
Kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk e përjashtoi mundësinë e shkuarjes në zgjedhje në dhjetor, e po ashtu pas këtyre edhe në muajin prill kur do të duhet të zgjedhet presidenti.
“Nga ajo çfarë dëgjuam dje dhe në bazë të rrethanave që ekzistojnë, duket se të gjithë tash po përgatiten jo vetëm për balotazhin, por edhe për zgjedhje parlamentare. Mbase është për të ardhur keq, por do të kemi dy herë zgjedhje, edhe në dimër edhe në pranverë, sepse kur nuk arritëm t’i bëjmë 61 deputetë për një qeveri të re, atëherë është vështirë e imagjinueshme që t’i bëjmë 80 deputetë për presidentin”, tha ai.
“Për rrugën e re, e cila në bazë të të gjitha fakteve dhe shenjave është veçse ajo e zgjedhjeve të reja…”, shtoi ai
Ai foli për ftesat që ia bëri LDK-së dhe kontaktet me Nismën.
“I bëmë ftesë dy herë LDK-së dhe kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me Nismën. LDK refuzon kategorikisht një qeveri të udhëhequr nga unë, kurse Nisma përfundimisht nuk deshi të jetë në një qeveri që e drejtoj unë”, tha ai.