Kthimi nga Greqia krijon kolona: bllokadë në “Dojran”
Është regjistruar pritje e shtuar në hyrje të vendit tonë nga pala greke gjatë kthimit të shtetasve tanë që gjatë fundjavës së zgjatur udhëtuan drejt jugut.
Shkaku i vonesave është vendosja zyrtare e sistemit të ri EES (Entry/Exit System), i cili nga 10 prilli ka hyrë plotësisht në fuqi dhe parashikon regjistrim digjital të hyrje-daljeve për qytetarët e vendeve që nuk janë anëtare të BE-së, në vend të regjistrimit të deritanishëm manual në pasaporta.
Nga pika kufitare “Dojran” bëjnë të ditur se nuk ka probleme në anën e kufirit të Maqedonisë së Veriut, ndërsa qarkullimi është më i ngadalshëm nga pala greke, sidomos gjatë orëve të pasdites, për shkak të kthimit të vizitorëve nga Greqia.
Me sistemin e ri evropian hiqet vendosja e vulave në pasaporta, ndërsa në çdo kalim të kufijve të jashtëm të zonës Shengen do të kryhet regjistrim elektronik dhe kontroll biometrik, përfshirë fotografimin dhe marrjen e gjurmëve të gishtërinjve.
Sistemi EES do të regjistrojë datat e sakta të hyrje-daljeve dhe do të bëjë verifikim automatik të rregullit për qëndrimin e lejuar prej 90 ditësh brenda 180 ditëve, duke ulur mundësinë e shkeljeve.