KSHZ hodhi poshtë 4 ankesa ndërsa pranoi 1, në lidhje me mbrojtjen e të drejtës për votim
Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) këtë mbrëmje, gjatë vazhdimit të seancës së 147-të, ka refuzuar katër ankesa të dorëzuara nga qytetarë për mbrojtjen e të drejtës personale për votim, ndërsa ka pranuar një të vetme.
Ankesat e Arijeta Selimit, Besar Selimit, Qerimka Selimovskës dhe Egzon Ismailit, të gjithë nga Saraji, u refuzuan si të pabazuara, pasi u verifikua që këta persona ishin të regjistruar në listën zgjedhore.
Ndërsa ankesa e Hazred Bizarit nga Struga u pranua njëzëri, pasi pas verifikimit rezultoi se ai nuk gjendej në listën zgjedhore, por plotëson kushtet për të votuar. Bizari do të mund të votojë nesër në vendvotimin nr. 1899 në komunën e Strugës. Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, theksoi se personat, të cilëve u pranohen ankesat, duhet patjetër të mbajnë vendimin me vete në vendvotim për të votuar.
Anëtarët e KSHZ, përmes Angelço Ristovit, apeluan tek qytetarët që duan të votojnë të verifikojnë paraprakisht regjistrimin e tyre në listën zgjedhore, e publikuar në faqen e KSHZ dhe në Komisionin Zgjedhor Komunal. Ai theksoi se një pjesë e madhe e ankesave për mbrojtjen e të drejtës personale për votim janë nga qytetarë tashmë të regjistruar, ndaj shërbimet e KSHZ fokusohen në shqyrtimin e ankesave të personave që nuk gjenden në listë.