Kryeministri i ri hungarez paralajmëron ekstradimin e Nikolla Gruevskit
Në një konferencë maratonë për media të mbajtur në Budapest, kryeministri i ri hungarez Péter Magyar paralajmëroi mundësinë e ekstradimit të ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski, duke e cilësuar atë si “kriminel të kërkuar” dhe duke theksuar se Hungaria nuk do të shndërrohet në “deponi për kriminelë ndërkombëtarë”.
Gjatë paraqitjes së tij, e cila zgjati pothuajse tre orë, ai foli për një sërë çështjesh ndërkombëtare, përfshirë marrëdhëniet me Serbinë, Ukrainën, Poloninë, Rumaninë, Rusinë dhe Bashkimin Evropian. Pyetja fillestare kishte të bënte me dy ish-ministra polakë të kërkuar për korrupsion, të cilët kanë marrë azil në Hungari në mënyrë të ngjashme si Gruevski.
“Ata nuk do të qëndrojnë këtu gjatë. Le të mos blejnë mobilie nga IKEA në Hungari”, deklaroi ai, duke shtuar se e njëjta qasje vlen edhe për ish-kryeministrin e RMV-së.
“Hungaria nuk do të bëhet deponi për kriminelë të kërkuar ndërkombëtarisht. Kjo vlen jo vetëm për ta, por edhe për Nikola Gruevskin. Në fund të fundit, ai është ish-kryeministër dhe një kriminel i kërkuar”, u shpreh kryeministri hungarez.
Nikolla Gruevski ndodhet në arrati që nga viti 2018, pasi u dënua me dy vite burg në rastin “Tank”. Ai u arratis nga vendi dhe fitoi azil në Hungari, duke pretenduar se ishte viktimë e përndjekjes politike nga qeveria e atëhershme e drejtuar nga Zoran Zaev.
Arratisja e tij u shoqërua me polemika të mëdha, pasi ai kaloi disa shtete të Ballkanit me automjete me targa hungareze, përpara se të transportohej në Budapest nga aeroporti i Beogradit me avion qeveritar.
Në vitin 2019, autoritetet hungareze refuzuan zyrtarisht kërkesën për ekstradim nga Shkupi. Edhe kërkesat e mëvonshme të autoriteteve maqedonase janë refuzuar, duke e lënë çështjen të hapur deri më sot.