
Krerët e VLEN vizituan Medresenë “Isa Beu” në Kondovë akademik
Krerët e VLEN vizituan Medresenë “Isa Beu” në Kondovë, për t’ua kumtuar vendimin e Qeverisë për miratimin e propozim-Ligjit për shkollat e mesme fetare me çka, pas katër dekadave, nxënësit e medresesë do të jenë të barabartë me çdo nxënës tjetër nga shkollat e mesme.
Kreu i BFI-së Shaqir Fetahu, mirëpriti kalimin e këtij propozimi duke theksuar se edhe nxënësit e medresesë do të mund të kontribuojnë në ngritjen e vetëdijes morale dhe të ndjekin proces mësimor bashkëkohor.
“Kjo do të thotë se dukshëm do të ndikojë edhe në rritjen e nxënësve tanë në tërë territorin e RMV. Sepse tanimë të gjithë ata që duan të ndjekin procesin edukativo arsimor të medresesë Isa Beu, janë të bindur se do të mund të vazhdojnë në të gjitha universitetet dhe fakultetet e vendit dhe jashtë vendit në përgjithësi”, tha Shaqir Fetahu – Kryetar i BFI-së.
Zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti, pret që ligji në Kuvend të kalojë para shtatorit, por duke mos theksuar nëse do të dorëzohet në procedurë të shkurtuar apo të rregullt.
“Jemi në bisedime edhe me kryetarin e Kuvendit z.Gashi që ta futë në prioritet që para pushimeve apo para shtatorit medreseja të frymon në mënyrë zyrtare e legale, e që do të kontribuon në rritjen e interesimit dhe numrit të nxënësve, rritjen e kualitetit sepse nuk do të humbet më energji rreth akreditim dhe provimit shtetëror….Bashkë me ministren e Arsimit e cila e zgjidhi një çështje, pra ministrja maqedone, çështje që nuk e zgjodhën ministrat shqiptar të arsimit të cilët kishim mundësi në të kaluarën”, u shpreh Izet Mexhiti – Zëvendëskryeministër.
Diplomat do u njihen edhe nxënësve të cilët kanë përfunduar medresenë në të kaluarën. Mjafton të japin provimin shtetëror. Sipas Zeqirija Ibrahimit, ligji do të ketë efekt paraveprues.
“Me këtë ligj do të mundësohet që në mënyrë retroaktive ata nxënës në të kaluarën kanë përfunduar medresenë, të mund të japin ato provime plotësuese të cilat nuk kanë qenë të parapara në këtë planprogram, të akreditohen dhe pasi ti japin ato provime atyre u lejohet të kalojnë në maturën shtetërore dhe pastaj të futen në fakultete të tjera”, tha Zeqirija Ibrahimi – VLEN.
Sipas ndryshimeve ligjore, plan programet mësimore do të përfshijnë një format të gërshetuar mësimor. Formati për lëndët tekniko-shkencore përfshin ato të gjimnazit dhe tjetri – ai fetar – që përfshin lëndët nga teologjia përkatëse, qoftë ortodokse apo islame, sipas institucionit amë. Po ashtu, shkollat përveç përshtatjes së plan programeve duhet të kenë edhe kuadër mësimdhënës të kualifikuar me 240 kredi.