Krerët e Kosovës kërkojnë drejtësi për të zhdukurit, thirrje për zbatim të Marrëveshjes së Brukselit
Në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve me Dhunë, krerët e lartë të shtetit të Kosovës kanë kërkuar drejtësi për të zhdukurit me dhunë, duke akuzuar Serbinë që nuk po jep përgjegjësi për krimet. Ata kanë bërë thirrje për zbatim të Marrëveshjes së Brukselit.Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani akuzoi Serbinë se nuk po respekton Marrëveshjen e Brukselit duke i mbajtur më të dashurit e familjeve të Kosovës në varreza masive në Serbi.“Zhdukja me dhunë e personave të dashur të shumë familjeve në Kosovë është krim të cilin e kryen çdo ditë, duke i mbajtur ata në varreza masive, duke mos i respektuar marrëveshjet e arritura në Bruksel për ta zbardhur fatin e këtyre të zhdukurve me dhunë. Serbia çdo ditë kryen krim kundër njerëzimit dhe çdo ditë shkel konventa ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”- tha Osmani në fjalën e saj gjatë vizitës tek Monumenti i Personave të Zhdukur, përballë Kuvendit të Kosovës.
Homazhe te ky Monument u bënë nga krerët shtetëror, anëtarë të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur dhe familjarë të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës dhe ambasadorë të vendeve të QUINT-it në Kosovë.Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se fati i 1,584 njerëzve të Kosovës, duhet të zbardhet sa më parë dhe për këtë, institucionet e shtetit tonë po bëjnë maksimumin. Ai tha se në vitin e kaluar Kosova ka gërmuar e gjurmuar në 23 lokacione të ndryshme, ndërkaq sivjet kemi pasur 18 aktivitete për hulumtim e për kërkim të mbetjeve mortore të më të dashurve tanë, të cilët i vrau Serbia dhe jo vetëm që i zhvarrosi, por edhe ua rrëmbeu kufomat. “Në anën tjetër, gërmimet në Kozhle të Serbisë nuk kanë filluar ende, ndërkaq në Batajnicë afër Beogradit, nuk kanë rifilluar ende, paçka se u bënë dy vjet që ne e kemi edhe Marrëveshjen e Brukselit edhe Deklaratën përkatëse për këtë çështje. Mohimi i drejtësisë ndaj viktimave tona të luftës së fundit, në fakt paraprihet nga mohimi i krimeve të kryera nga Serbia, që e bën Beogradi zyrtar”- tha ai.
Kurse, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, tha për media se zbardhja e fatit të të zhdukurve është obligim moral dhe ndërkombëtar i Serbisë, por edhe përgjegjësi e bashkësisë ndërkombëtare.“Është çështje morale por edhe obligim ndërkombëtar që Serbia të tregojë sa më shpejt. Bëj thirrje edhe te bashkësia ndërkombëtare që të shtojë presion të një regjim autoritar atje që të tregojë për fatin e të pagjeturve dhe të kuptojmë për fatin e tyre” – tha ai.Çështja e personave të zhdukur ka qenë një ndër çështjet urgjente të aneksit të dakorduar më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.Aneksi është pjesë e marrëveshjes bazë të Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi të dakorduar më 27 shkurt 2023.
Kjo marrëveshje është përmendur në publik edhe me emrin plani franko-gjerman.Marrëveshja bazë ka 11 nene, ndërsa aneksi për zbatimin e kësaj marrëveshje ka 12 pika.As për marrëveshjen bazë e as për aneksin nuk janë hedhur nënshkrime, ndonëse BE ka deklaruar se kjo është marrëveshje, duke kërkuar me ngulm nga palët që të fillojnë me zbatimin e saj.Kallxo.com