KQZ propozon 7 qershorin për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha se procesi i organizimit të zgjedhjeve të reja nuk është i lehtë, andaj ai kërkon që votimet të mbahen më 7 qershor.
Gjykata Kushtetuese i ka caktuar dy data për mbajtjen e zgjedhjeve, 31 maj ose 7 qershor, kështu që për mendimin tonë është 7 qershori, por prapë le t’i mbetet presidentes”, tha ai pas takimit që ka zhvilluar me ushtruesen e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Ai tha se KQZ-ja kërkon sa më shumë kohë për përgatitjen e zgjedhjeve të reja, që duhet të mbahen pas shpërndarjes së legjislaturës së dhjetë, e cila dështoi që të zgjidhte presidentin e ri më 28 prill, brenda afatit kushtetues.
Radoniqi u pyet nëse kanë diskutuar për buxhetin që i duhet KQZ-së për organizimin e zgjedhjeve, ai tha se jo, por shtoi se “besoj do të jetë përafërsisht si në zgjedhjet e kaluara”.
Zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura më 28 dhjetor 2025, Kosovës i kushtuan rreth 7 milionë euro.
Pasi ky vit nuk është vit i rregullt zgjedhor, KQZ-ja do të duhet që t’i drejtohet Qeverisë për të kërkuar buxhet për organizimin e votimeve.