Kostadinovski: Kemi suficit të mosndëshkueshmërisë dhe deficit të përgjegjësisë
Kemi një suficit të madh të mosndëshkueshmërisë dhe një deficit të përgjegjësisë, tha kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, në intervistën “Top Tema” në televizionin Telma.
“Mosndëshkueshmëria mbretëron në shtetin tonë”, theksoi Kostadinovski.
Ai shtoi se Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim me të cilin shpreh dyshime serioze për kushtetutshmërinë e ndryshimeve dhe plotësimeve të Kodit Zgjedhor.
“Sipas atij ligji është bërë një dëm i pariparueshëm në rendin tonë juridik. Dëmi që ky ligj ka shkaktuar nuk mund të rregullohet. Ky ligj, pra ato ndryshime dhe plotësime, kanë mundësuar që, pasi vepra penale 353 i përket vetëm zyrtarëve, pra, një qytetar i zakonshëm nuk mund ta kryejë atë vepër penale. Mosndëshkueshmëria për këtë kategori qytetarësh do të vazhdojë. Kjo do të thotë që numrat e mosndëshkueshmërisë vetëm sa do të rriten”, tha Kostadinovski.
Gjykata Kushtetuese, shtoi ai, i ka dhënë Kuvendit afat gjashtëmujor për të rishikuar dispozitat përkatëse.
Në të kundërt, gjykata paralajmëroi se do të marrë një vendim përfundimtar për t’i shfuqizuar ato dispozita, në mënyrë që të gjitha vendimet e marra mbi bazën e tyre të pushojnë të vlejnë dhe çështjet përkatëse të rishqyrtohen ose të anulohen dhe nga dita e anulimit do të zbatohet Kodi i mëparshëm Zgjedhor.
“Afati gjashtëmujor përfundoi në gusht. Ne, si gjykatë, patëm mirëkuptim për shkak të procesit zgjedhor, sepse nuk është e përshtatshme të bëhen ndryshime të mëdha gjatë zgjedhjeve. Por zgjedhjet përfunduan. Unë, si kryetar, jam i detyruar ta ruaj kredibilitetin e Gjykatës Kushtetuese. Ne nuk mund t’i lejojmë Kuvendit pafundësisht të vazhdojë me një praktikë të padisiplinës kushtetuese. Kuvendi është i detyruar, nëse e respekton Kushtetutën, dhe është i detyruar ta bëjë këtë, pra të respektojë edhe vendimet tona, sepse sipas Kushtetutës, vendimet tona janë përfundimtare, ekzekutive dhe detyruese për të gjithë. Por deri më tani Kuvendi nuk e ka bërë këtë”, tha Kostadinovski.
Hipotetikisht, shtoi ai, “nëse Gjykata Kushtetuese në seancën e ardhshme e vendos këtë çështje dhe merr vendim për të, atëherë ne, si Gjykatë Kushtetuese, do të bëhemi të njëjtë me ata që i kanë bërë ato ndryshime, sepse dëmet që do të shkaktoheshin nga vendimi ynë do të kishin pasoja edhe më të paparashikueshme.”