
Kosovë: Lufta e përhershme Qeveri-Kryeqytet
Prishtina, si kryeqytet i Kosovës, është vendi ku shpesh janë përplasur interesat e pushtetit lokal dhe atij qendror, pasi në 15 vitet e fundit, komuna e Prishtinës është drejtuar pothuajse gjithmonë nga opozita. Një fenomen i tillë ka sjellë tensione të vazhdueshme, mungesë bashkëpunimi dhe gjithashtu akuza të ndërsjella për bllokime dhe pengesa në projekte, duke e vendosur pushtetin komunal në përplasje të vazhdueshme me qeverinë. Kjo luftë mes dy niveleve të pushtetit është përsëritur gjatë mandateve të fundit, pavarësisht se kush ka qenë në krye të komunës apo qeverisë.
Isa Mustafa (LDK) kryetar i Prishtinës, PDK në pushtet (2007/2013)
Isa Mustafa, gjatë mandatit të tij si kryetar i komunës së Prishtinës, gjatë periudhës 2007-2013, ka pasur ankesa të vazhdueshme mbi Qeverinë e udhëhequr nga Hashim Thaçi dhe PDK-ja, duke kritikuar se Prishtina po ndëshkohej me buxhet të ulët, dhe sipas tij qyteti më i madh dhe me barrën më të madhe infrastrukturore merrte më pak investime kapitale për frymë se shumica e komunave të tjera.
Shpend Ahmeti (VV) kryetar i Prishtinës, PDK-LDK në pushtet (2013-2017)
Një nga çështjet kryesore që solli përplasje mes qeverisë qendrore dhe pushtetit komunal të udhëhequr nga Shpend Ahmeti nga Vetëvendosje ishte mbi ndërmarrjen publike “Stacioni i Autobusëve”, mosmarrëveshje mbi pronësinë dhe menaxhimin e stacionit qendror të autobusëve në Prishtinë. Ndërkaq, dega e PDK-së në Prishtinë, gjatë mandatit të Shpend Ahmetit ka akuzuar qeverisjen e tij në mosmbajtjën e premtimeve, ku gjatë fushatës së vitit 2013 premtoi se do të vendoseshin hartat e linjave të autobusëve nëpër stacione, andaj mospërmbushjën e këtij premtimi PDK-ja e quajti dembeli dhe gënjeshtër. Përveç kësaj, çka shtoi më shumë tensione ishte shkarkimi i bordit të kësaj ndërmarrje nga kryetari Ahmeti gjatë vitit 2018, për të vazhduar me reforma dhe anëtarë të rinj, gjë që për të cilën asambleistët e Komunës dhe ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv në Stacionin e Autobusëve deklaruan se nuk kishin qenë në dijeni për këtë vendim, duke e quajtur si keqpërdorim të ndërmarrjeve publike.
Shpend Ahmeti (VV-PSD), kryetar i Prishtinës, koalicionit PDK-AAK / VV-LDK në pushtet (2017-2021)
Gjatë kësaj periudhe, kryetari Ahmeti vazhdoi përplasjet me pushtetin qendror rreth projektit të stadiumit të Prishtinës, se kush do ta financonte dhe menaxhonte këtë investim të madh. Shpend Ahmeti kishte deklaruar se stadiumi “Fadil Vokrri” është pronë e qytetarëve dhe e Komunës së Prishtinës, duke kërkuar nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, se nuk ka nevojë ta heqë stadiumin nga procesi i privatizimit pasi është pronë shoqërore, jo shtetërore apo private. Gjatë kësaj periudhe, gjithashtu ka pasur kritika nga Qeveria ndaj Shpend Ahmetit për keqmenaxhim të fondeve publike dhe shpenzime të tepruara, ku këto akuza përfshinin projekte të dyshimta dhe mungesë transparence nga pushteti komunal.
Përparim Rama (LDK) kryetar i Prishtinës, Vetëvendosje në pushtet (2021-2025)
Në mandatin aktual, mosmarrëveshjet mes kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama dhe qeverisë që udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje, vazhdojnë ende, kryesisht për shkak të bllokimeve dhe vonesave të projekteve urbane, përfshirë edhe ato të cilat ishin planifikuar me mbështetje të huaj financiare. Gjatë fillimit të këtij viti, Rama ka deklaruar se projekti i Unazës së Kryeqytetit, për të cilin ishte miratuar buxheti prej 204 milion euro dhe ishte i gatshëm të zbatohej që tri vite më parë, është ndalur nga Qeveria për arsye të pastra politike. Krahas kësaj, ai ka numëruar edhe ndërtimin e ishullit Arbëri-Pallati i Rinisë, ndërtimin e Palestrës Multisportive si dhe ndërtimin e një nënkalimi në rrugën “Agim Ramadani”, si projekte që po pengohen nga niveli qendror. Mirëpo, pas këtyre kritikave, ministri i Financave, Hekuran Murati, publikoi një grafikon, ku pretendonte se gjatë tre viteve të fundit Qeveria e ka rritur mbështetjën financiare për Komunën e Prishtinës.
Gjithashtu, gjatë vitit 2023, Rama ka deklaruar se 28.8 milion euro të parapara për 172 projekte kapitale në kryeqytet janë bllokuar nga Qeveria dhe kishte kërkuar nga Ministria e Financave urgjentisht të bëjë bartjen e të hyrave vetanake të Prishtinës dhe të komunave, në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin përkatës. Rama, ndonëse vazhdon të kërkoj nga Qeveria bashkëpunim mes nivelit qendror dhe kryeqytetit, në fushën e arsimit së fundi, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, investimet për kryqytet i cilësoi si plane shumëvjeçare, duke deklaruar se do të vazhdojnë të zbatohen por me dikë tjetër gjatë vjeshtës së ardhshme, dhe jo me kryetarin Rama.