Kosova e gatshme të bashkëpunojë me Kroacinë për spiunazhin nga Serbia
Presidenca e Kroacisë u ka shprehur përkrahje institucioneve kroate, pas vendimit të gjykatës për paraburgim të dy personave që dyshohet se spiunuan forcat e NATO-s në Kosovë. Për dy të dyshuarit për spiunazh që po procedohen në Kroaci, Qeveria e Kosovës ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim në zbardhjen e rastit.
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka shprehur përkrahje për hetuesinë pas vendimit për paraburgim ndaj dy të pandehurve që dyshohet se e spiunuan KFOR-in kroat në Kosovë.
Në një komunikatë të lëshuar nga presidenca, është shprehur përkrahje për institucionet duke thënë se veprimet e tyre e kanë vërtetuar kryerjen e mundshme të veprave penale në dëm të Kroacisë.
Veprimet që i ndërmori oficeri i flotës ajrore të Kroacisë dhe e dashura e tij serbe e Kosovës, dyshohet se shkonin në dëm të interesave të Kroacisë.
“Lidhur me fillimin e një hetimi kundër oficerit të Forcave të Armatosura Kroate J.I. (54), nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të spiunazhit sipas nenit 348, paragrafi 1 i Kodit Penal, Presidenti i Republikës Zoran Milanoviq shpreh mbështetje për të gjitha institucionet e Republikës së Kroacisë, kryesisht VSOA (Agjencinë e Sigurisë dhe Inteligjencës Ushtarake), të cilat kanë vërtetuar kryerjen e mundshme të veprave penale në dëm të Republikës së Kroacisë dhe kanë marrë masat e duhura brenda juridiksionit të tyre me qëllim zbulimin e autorëve të mundshëm dhe parandalimin e veprave të mëtejshme penale”, u tha nga Presidenca e Kroacisë.
Presidenca kroate ka kërkuar një hetim efikas, tek ka theksuar se “çdo anëtar i Forcave të Armatosura Kroate duhet ta kryejë detyrën e tij ushtarake me ndershmëri, drejtësi dhe ligjshmëri”, përndryshe do të përballet me ligjin.
Mediat kroate kanë shkruar se ata dyshohen se spiunuan në favor të Serbisë, duke i shpalosur lëvizjet e forcave të NATO-s në Kosovë, duke e përfshirë edhe periudhën e dhjetorit të 2022-tës kur serbët i bllokuan rrugët që çojnë në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.
Reagime ka pasur edhe në Kosovë, ku Qeveria ka thënë se e A.M, e dashura e pilotit kroat, nuk ka marrë informata të klasifikuara për Qeverinë e Kosovës.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka shkruar në “Facebook” se institucionet e Kosovës janë të gatshme për bashkëpunim për zbardhjen e plotë të rastit të spiunazhit, që dyshohet të jetë zhvilluar në territorin e Kosovës.
“Andaj, ne hedhim poshtë çdo pretendim se personi në fjalë mund të ketë siguruar informacione të rëndësishme dhe konfidenciale të Zyrës së Kryeministrit…Institucionet tona të sigurisë dhe inteligjencës po punojnë në vazhdimësi e me vigjilencë të lartë, dhe suksesshëm po u kundërvihen përpjekjeve dashakeqe dhe destabilizuese të Serbisë në Kosovë. Duke qenë se veprimtaria e A.M. dhe shtetasit kroat, të dy të arrestuar në Kroaci, është zhvilluar në Kosovë, institucionet tona janë në gatishmëri të plotë që të bashkëpunojnë me institucionet e Kroacisë për zhvillimin e mëtejmë të hetimeve dhe zbardhjen e plotë të aktiviteteve dhe rrjetit të veprimit.