Koshta: Zgjerimi nuk është vetëm sfidë për BE-në, por edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor
Anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor, Moldavisë dhe Ukrainës në Bashkimin Evropian (BE) nuk është vetëm premtim, por prioritet, tha presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Koshta, në fjalën e tij hyrëse në Forumin Strategjik në Bled, Slloveni. Ai theksoi se BE-ja nuk është një klub i mbyllur, por një komunitet vlerash dhe projektesh për paqe e prosperitet, që ende nuk është përfunduar.
Duke folur në këtë kontekst, Koshta, tha se bëhet fjalë për vende që ndodhen në zemër të Europës dhe janë pjesë e së ardhmes së saj, prandaj në vitet e ardhshme BE-ja duhet të përgatitet për zgjerim përmes reformave, përshtatjeve buxhetore dhe forcimit të menaxhimit.
Sipas presidentit të Këshillit Evropian, zgjerimi nuk do të jetë i lehtë, por, siç tha ai, ia vlen.
“Ky është investimi më i mirë që mund të bëjmë, të pajtojmë kombet dhe historitë dhe të ndërtojmë një kontinent më të bashkuar. Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me të gjithë partnerët në procesin e anëtarësimit dhe do të shfrytëzojmë këtë moment pozitiv për zgjerimin,” tha Koshta.
Ai shtoi se Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor është një pikë kthese e mundshme që ofron mbështetje financiare dhe stimuj për reforma, bashkëpunim rajonal dhe integrim ekonomik.
Duke folur për këtë temë, presidenti i Këshillit të BE-së tha se zgjerimi nuk është vetëm një sfidë për Bashkimin Evropian, por është një sfidë edhe më e madhe për vendet e Ballkanit Perëndimor.