Koshta filloi turneun pesëditor në vendet e Ballkanit Perëndimor: Nesër do të mbërrijë në Shkup
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Koshta, filloi sot turneun e tij pesëditor në Ballkanin Perëndimor. Ai do të vizitojë Ballkanin Perëndimor deri më 5 qershor, ku do të takohet me udhëheqës rajonalë dhe do të bashkëkryesojë Samitin BE-Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në Tivat të Malit të Zi. Zyra e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup informon se fokusi i bisedimeve do të jetë në mundësitë dhe sfidat që lidhen me procesin e zgjerimit të Unionit, integrimin gradual të rajonit, bashkëpunimin rajonal, si dhe çështjet e sigurisë dhe stabilitetit, transmeton Portalb.mk.
Turneu do të fillojë sot në Sarajevë. Të martën, më 2 qershor, Kosta do të vizitojë Tiranën dhe më pas do të udhëtojë për në Shkup, ku do të takohet me kryeministrin Hristijan Mickoski. Vizitë në Prishtinë është planifikuar për më 3 qershor, ndërsa ai do të vizitojë Beogradin më 4 qershor. Turneu rajonal do të përfundojë në Mal të Zi.
Më 5 qershor, Kosta do të bashkëkryesojë Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tivat, kushtuar temës “Prosperiteti dhe stabiliteti i përbashkët i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha të premten se gjatë vizitës së ardhshme të Kostës pret të shkëmbejë më shumë ide për kapërcimin e pengesës për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian nga, siç e quajti ai, një kërkesë artificiale dypalëshe nga një shtet anëtar.
Ai theksoi se qëndrimi i vendit mbetet i pandryshuar dhe se Qeveria do të kërkojë zgjidhje që nuk do të prekë dinjitetin e popullit dhe qytetarëve maqedonas.
“Sa i përket vizitës së Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Kosta, deri më tani kemi pasur biseda jashtëzakonisht miqësore, duke shkëmbyer ide dhe mendime. Ai gjithmonë ka qenë konstruktiv në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje për këtë kërkesë artificiale dypalëshe që një shtet anëtar ka ndaj Maqedonisë. Shpresoj se do të vazhdojmë në atë drejtim në të ardhmen. Jam i sigurt se me praninë e tij këtu dhe gjatë takimit tonë dypalësh, dhe më pas në darkën e punës, do të mund të shkëmbejmë më shumë ide, për të parë nëse dhe si mund të kapërcehet pengesa”, tha Mickoski.
Ky është turneu i tij i dytë në Ballkanin Perëndimor si President i Këshillit Evropian, i cili, sipas tij, u dërgon sinjal të qartë vendeve.
“Turneu im i dytë në Ballkanin Perëndimor dërgon sinjal të qartë – angazhimi i BE-së ndaj rajonit është real, po aq real sa edhe mundësia e zgjerimit. Momenti është këtu. Tani është koha për zbatim”, tha Kosta përpara turneut.
Zyrtarët e BE-së nuk e përjashtuan mundësinë e fillimit të një diskutimi mbi propozimin e fundit nga kancelari gjerman Friedrich Merz, i cili propozon statusin e vëzhguesit për vendet e rajonit dhe statusin e anëtarit të asociuar për Ukrainën.
Burime në Bruksel thonë se ka ide dhe propozime të ndryshme, por se derisa të ketë një ndryshim konkret në procedura, procesi i zgjerimit do të vazhdojë sipas metodologjisë aktuale.
Zyrtarët e BE-së paralajmëruan se udhëheqësit e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian do t’u kërkojnë vendeve të rajonit të shfrytëzojnë momentumin pozitiv për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së, gjë që u konfirmua me fillimin e përgatitjes së marrëveshjes së anëtarësimit BE-Mali i Zi.
Udhëheqësit evropianë, sipas njoftimeve, do t’u theksojnë udhëheqësve të rajonit rëndësinë e harmonizimit me politikën e përbashkët të jashtme, përfshirë politikën e sanksioneve.
Vendeve të rajonit do t’u kërkohet të përmirësojnë sundimin e ligjit dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet me fqinjët e tyre.
Samitet BE-Ballkani Perëndimor janë bërë praktikë e rregullt që nga viti 2020. Ato mbahen një herë në vit, dhe çdo herë tjetër organizohen në një nga vendet e rajonit.
Samiti u mbajt për herë të parë jashtë kufijve të BE-së në vitin 2022 në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë.
Ky format përfaqëson një platformë kyçe politike për dialog strategjik midis Bashkimit Evropian dhe rajonit, me fokus në zgjerimin, sigurinë, bashkëpunimin ekonomik dhe stabilitetin politik në Ballkanin Perëndimor.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.