Kos kërkon ndryshime Kushtetuese, Mucunski garanci
Komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, theksoi rëndësinë që Maqedonia e Veriut të përmbushë detyrimet e mbetura dhe të ecë përpara në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në një postim në rrjetin social X, Kos tha se me Mucunskin diskutuan hapat e ardhshëm në rrugën evropiane të vendit dhe rreth Planit të Rritjes së BE-së, duke theksuar mbështetjen e saj të fortë për këtë proces. Ajo përshëndeti gjithashtu pajtueshmërinë e plotë të Shkupit me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, si dhe ndihmën që vendi po i ofron Ukrainës.
Nga ana tjetër, ministri Mucunski, në një intervistë për revistën “Politico” gjatë vizitës së tij në Bruksel, tha se Maqedonia e Veriut nuk është gati të bëjë ndryshimet kushtetuese të kërkuara nga Bullgaria, përveç nëse merr garanci të forta nga BE-ja se kjo do të jetë kërkesa e fundit e Sofjes.
“Frika jonë është se nëse i bëjmë këto ndryshime, pas gjashtë muajsh Bullgaria mund të dalë me kërkesa të reja që lidhen me historinë, identitetin ose gjuhën tonë”, tha ai. Megjithatë, Mucunski theksoi se vendi është i gatshëm të zbatojë të gjitha reformat e tjera që kërkohen nga BE-ja, sepse ato janë të domosdoshme jo vetëm për procesin e integrimit, por edhe për vetë shoqërinë.
Ai rikujtoi se Maqedonia e Veriut nisi procesin e integrimit së bashku me Kroacinë, por ndërsa Kroacia sot është pjesë e BE-së, Shengenit dhe përdor euron, Shkupi ende nuk i ka hapur negociatat e anëtarësimit. Sidoqoftë, Mucunski shprehu bindjen se zgjerimi i BE-së është ende i mundur dhe se vendi ka potencial për të avancuar nëse bën reformat siç duhet.
Krahas kësaj, ai përmendi edhe mbështetjen që Maqedonia e Veriut i jep Ukrainës, rolin e saj në NATO dhe faktin se ka qenë vendi i parë në rajon që nënshkroi një partneritet sigurie dhe mbrojtjeje me BE-në, madje para Mbretërisë së Bashkuar dhe Kanadasë.