Kontrolle në shtëpitë e të moshuarve në Shkup, arrestohen dy persona për për dhunë dhe trajtim ç’njerëzor
Pas marrjes së informacioneve për trajtim të mundshëm ç’njerëzor ndaj të moshuarve, Prokuroria Themelore e Shkupit në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme ka shkuar në kontrolle të pa paralajmëuara tek këto institucione. Janë kryer bastisje në dy shtëpi private, dhe në dy të tjera po bëhen bastisje sot.
“Pas grumbullimit të mjaftueshëm të dhënash që konfirmojnë bazat e dyshimit, dje janë kryer bastisje në katër lokacione të lidhura me dy institucione private për mbrojtje sociale të personave të moshuar. Sot po zhvillohen bastisje në dy lokacione të tjera të lidhura me rastin. Deri në këtë moment, dy persona janë ndaluar. Në vendngjarje, përveç përfaqësuesve të MPB-së dhe Prokurorisë, janë të pranishëm edhe inspektorë nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, Inspektorati Shtetëror i Punës, si dhe inspektorë nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari”, njoftojnë nga Prokuroria.
Në aksion janë përfshirë edhe përfaqësues të Qendrave për Shëndet Publik, mjekë nga Ndihma e Shpejtë dhe ekspertë nga Instituti për Mjekësi Ligjore dhe Kriminalistikë.
Institucionet vazhdojnë aktivitetet për të përcaktuar të gjitha faktet juridikisht të rëndësishme dhe përgjegjësinë eventuale në këtë rast, njoftojnë nga Prokuroria./VOXAL/