
Komuna e Kumanovës, dënon gjuhën e urrejtjes ndëretnike gjatë ndeshjes së basketbollit Maqedoni–Rumani
Në sport nuk ka vend për nacionalizëm dhe përçarje ndëretnike – ky është qëndrimi i Komunës së Kumanovës pas incidentit të shënuar gjatë ndeshjes miqësore ndërmjet kombëtares së Maqedonisë dhe asaj të Rumanisë. Nga atje distancohen nga këto brohoritje me përmbajtje fyese ndëretnike dhe nacionaliste, duke nënvizuar se ky është rast i izoluar i shkaktuar nga individë të caktuar.
“Komuna e Kumanovës i dënon publikisht këto sjellje të papranueshme dhe distancohet nga çdo formë e gjuhës së urrejtjes. Kumanova ka qenë dhe do të mbetet qytet i të gjithë banorëve, pa dallim etnie. Sporti dhe kultura janë ura bashkimi për qytetarët tanë”, thuhet në reagimin e komunës.
Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që të promovojnë respektin dhe bashkëjetesën, veçanërisht në ngjarje që kanë për qëllim bashkimin dhe jo përçarjen.