Komisioni vërteton, janë bërë operacione pa nevojë për të marrë para
Në vend u kryen operacione në zemër që nuk duhej të kryheshin (një dyshim i ngritur nga kardiologu Sashko Kedev), i konfirmuar indirekt nga Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu për në edicionin e ri të 360 Gradë i cili ende nuk është publikuar. Aliu njoftoi se komisioni së shpejti do të përfundojë punën e tij dhe zyrtarisht do të shpallë gjetjet, transmeton Portalb.mk.
Drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore Sasho Klekovski gjithashtu tregon një problem me udhëzimet – disa mjekë, kryesisht nga shëndeti publik, i referojnë pacientët në të njëjtin spital kur kanë nevojë për intervenim kardiokirurgjik.
Kujtojmë se ditë më parë ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu në një intervistë në Alsat-M, bëri të ditur se komisioni tashmë është mbledhur tre herë dhe ka analizuar tetë rastet e para të raportuara.
“Në takimin e parë u krijua metodologjia e punës, ndërsa në takimet pasuese u analizuan tetë rastet që kishim. Nuk do të deklarohem derisa të përfundojmë me analizën e çdo rasti”, tha ministri Aliu.
Ai shtoi se raporti përfundimtar do të publikohet në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, dhe përveç komisionit vendor, në këtë proces janë përfshirë edhe tre ekspertë ndërkombëtarë nga Sllovenia, Italia dhe Austria, të cilët pritet të marrin pjesë edhe fizikisht në takimet e ardhshme.
“Raporti i komisionit vendor dhe ai i ekspertëve të jashtëm do të shërbejnë si bazë për krijimin e politikave të reja në fushën e kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë. Detyra e komisionit është të paraqesë realitetin – më tej, institucionet përkatëse do të veprojnë sipas ligjit”, theksoi Aliu.
Para disa javësh kirurgu kardiolog Sashko Kedev në një intervistë me Kanal 77, tha se në disa spitale private kryhen ndërhyrje të panevojshme për fitim, duke përfshirë stentime dhe operacione të panevojshme. Ai nuk përmendi asnjë spital me emër. Pas deklaratës, spitali privat “Acibadem Sistina” i kërkoi atij të specifikonte se për cilin institucion bëjnë fjalë këto pretendime, duke e paralajmëruar se nëse nuk e bën këtë, do të ngrejë padi për shpifje dhe dëmtim të reputacionit.
Pas kësaj Ministria e Shëndetësisë formoi Komisionin e Brendshëm të përbërë nga ekspertë mjekësorë, juristë dhe ekonomistë. Detyra e këtij komisioni është që të konstatojë faktet dhe të veprojë mbi bazë të provave mjekësore, sipas standardeve më të larta ndërkombëtare dhe rregullave metodologjike të sakta. Gjetjet nga kjo analizë e komisionit të brendshëm do ti dorëzohen komisionit profesional të përbërë nga ekspertë të huaj.