Komisioni i Venecias vlerëson pozitivisht draft-ligjin për Përfaqësim Adekuat
Iliria News Agency (INA) ka siguruar versionin e draft-ligjit për Përfaqësim Adekuat dhe të Drejtë, të dorëzuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Komisionin e Venecias.
Drafti ka marrë vlerësim pozitiv nga ekspertët ndërkombëtarë, duke theksuar rëndësinë e tij për garantimin e përfaqësimit të barabartë të të gjitha komuniteteve në institucionet publike dhe organet shtetërore.
Ky draft-ligj siç thuhet ka për qëllim të sigurojë:
Përfaqësim proporcional të qytetarëve sipas të dhënave të fundit të regjistrimit të popullsisë;
Trajtim të drejtë dhe mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët në punësim dhe avancim në administratën publike;
Monitorim dhe analiza të vazhdueshme për të garantuar barazinë dhe përfshirjen e komuniteteve;
Krijimin e mekanizmave institucionalë për të përmirësuar përfaqësimin e komuniteteve të nën-përfaqësuara.
Draft-ligji është përgatitur duke respektuar parimet kushtetuese, standardet ndërkombëtare dhe synon të forcojë kohezionin social dhe përfshirjen qytetare në nivelin qendror dhe lokal, përcjell INA. Për këtë projekt-ligj që pritet të marrë dritë jeshile në Kuvend, pritet të hapet debat parlamentar por edhe në opinionin publik.