Koalicionet dhe partitë marrin pozicionet në fletëvotim për zgjedhjet e 19 tetorit
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) mbajti sot seancë publike, në të cilin tërhoqi short për të përcaktuar numrat e kandidatëve në fletëvotim për zgjedhjet e ardhshme për kryetar komune dhe këshilltarë, përkatësisht numrin rendor nën të cilin do të paraqiten partitë dhe koalicionet parlamentare, jashtëparlamentare, si dhe listat e pavarura në zgjedhjet lokale të 19 tetorit në Maqedoninë e Veriut.
E para në fletën e votimit do të jetë koalicioni “Eksperiencë për sukses”, në vend të dytë ZNAM për “Maqedoninë tonë”, e treta Partia Demokratike e Serbëve në Maqedoni, në vend të katërt koalicioni “Aleanca Kombëtare për Integrim” e udhëhequr nga BDI, në vend të pestë koalicioni për zgjedhjet lokale i udhëhequr nga LSDM, në vend të gjashtë Levica, e shtata koalicioni VLEN, në vend të tetë koalicioni “Për një të ardhme të gjelbër”, dhe në vend të 9 koalicioni “Maqedonia Jote” i udhëhequr nga VMRO-DPMNE.
Këto janë vendet që zënë partitë dhe koalicionet parlamentare, ndërsa partitë që nuk janë pjesë e përbërjes parlamentare do të zënë pozicionet nga 10 deri në 33, ndërsa kandidatët e pavarur janë në listë me numra nga 34 deri në 153.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 19 tetor, rrethi i parë dhe 2 nëntor, rrethi i dytë.
Fushata zgjedhore për raundin e parë fillon më 29 shtator dhe do të zgjasë vazhdimisht deri më 17 tetor, ndërsa fushata për raundin e dytë zgjedhor do të zgjasë deri më 31 tetor.