Klekovski njoftoi se nga korriku “Clexane” dhe “Fraxiparin” do të jenë në listën pozitive
Nga korriku i këtij viti, qytetarët do të mund të blejnë në barnatore përmes listës pozitive barnat kundër mpiksjes së gjakut “Kleksan” dhe “Fraksiparin”, si dhe edhe një medikament shtesë nga ky grup. Këtë e bëri të ditur sot në një takim informues me gazetarët drejtori i përgjithshëm i Fondit për Sigurim Shëndetësor (FSSH), Sasho Klekovski, transmeton Portalb.mk.
Barnat e reja që futen në listën pozitive janë të tipit antikoagulantë dhe janë të destinuara për disa kategori kritike pacientësh – nga rastet akute dhe gjendjet pas operacioneve deri te pacientët më të moshuar.
“Në përgjithësi, për disa grupe të ndryshme të popullsisë. Të themi, për raste akute, pas operacioneve, për parandalimin e mpiksjes pas ndërhyrjeve të rënda. Për shembull, pas zëvendësimit të ijës, përdoren edhe te popullata më e moshuar me probleme të zemrës”, tha Klekovski.
Drejtori i FSSH-së foli edhe për përshkrimin e “Kleksan”-it te gratë shtatzëna, duke theksuar se kjo dukuri te ne është shndërruar në një praktikë tepër të përhapur, e cila nuk përputhet me indikacionet mjekësore.
Klekovski sqaroi se në indikacionet zyrtare të miratuara nga MALMED, askund nuk thuhet se “Kleksan” duhet ta marrin gratë shtatzëna vetvetiu, por vetëm ato me indikacione specifike mjekësore të përcaktuara saktë.
I pyetur pse pothuajse çdo gruaje me fertilizim in-vitro i përshkruhet kjo terapi, drejtori paralajmëroi hapa urgjentë institucionalë.
“Te shtatzënitë patologjike, tani planifikojmë një takim të posaçëm me Klinikën për Gjinekologji dhe Obstetrikë (GAK), sepse është plotësisht e paqartë mbi çfarë baze ata vendosin se një shtatzëni është patologjike. Dy të tretat e shtatzënive tashmë rezultojnë patologjike, gjë që është jonormale. Mendoj se nuk mund të jenë dy të tretat patologji”, tha Klekovski.
Ai foli edhe për prioritetet e Fondit, si kontroll më i madh i konsumit masiv të barnave me recetë, krijimi i hapësirës për futjen e barnave të reja dhe më të shtrenjta, vendosja e terapisë bashkëkohore dhe lufta kundër mashtrimeve kur bëhet fjalë për barnat.
Kujtojmë se në kulmin e fushatës për dhurimin e organeve, Fondi për Sigurim Shëndetësor dhe komisioni i tij shtatëanëtarësh për çmimet referente vazhdojnë t’u sjellin surpriza të pakëndshme pacientëve. Ilaçi Myfortic 360, të cilin pacientët me veshkë të transplantuar duhet ta marrin për një periudhë të gjatë, shpesh gjatë gjithë jetës, në mënyrë që organizmi të mos e refuzojë organin e transplantuar, dhe që deri tani merrej falas, tashmë kushton 3.450 denarë.