Katër vite nga nisja e luftës në Ukrainë
Katër vite pas fillimit të pushtimit rus ndaj Ukrainës më 24 shkurt 2022, lufta vazhdon, ndërsa paralelisht po zhvillohen negociata trilaterale për paqe me ndërmjetësim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Invazioni, i cilësuar nga Moska si “operacion special ushtarak”, erdhi pas tensioneve shumëvjeçare mes Rusisë dhe Ukrainës, të cilat u thelluan pas ngjarjeve të vitit 2014 dhe aneksimit të Krimesë. Gjatë katër viteve të fundit janë zhvilluar luftime të ashpra në disa fronte, me ndryshime të vazhdueshme të vijës së kontaktit dhe humbje të konsiderueshme njerëzore e materiale.
Gjatë viteve 2022 dhe 2023, forcat ruse përparuan në pjesë të Ukrainës lindore dhe jugore, ndërsa ushtria ukrainase ndërmori kundërofensiva me mbështetjen e aleatëve perëndimorë. Rusia shpalli aneksimin e rajoneve Donjeck, Luhansk, Zaporozhia dhe Kherson, veprim që u dënua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.
Ndërkohë, mbi 70 shtete kanë ofruar forma të ndryshme ndihme për Kievin, ndërsa sanksionet ndaj Rusisë kanë shkaktuar pasoja të gjera ekonomike, veçanërisht në Evropë.
Që nga fillimi i vitit 2025, luftimet vazhdojnë me sulme intensive ajrore dhe përdorim të gjerë të dronëve. Sipas vlerësimeve aktuale, Rusia kontrollon rreth një të pestën e territorit të njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës.
Në të njëjtën kohë, po zhvillohen negociata për paqe të iniciuara nga presidenti amerikan Donald Trump, ndërsa një raund i ri bisedimesh pritet të mbahet deri në fund të muajit. VOXAL