Kasami: Tetovën e ngritëm nga borxhi dhe kaosi, sot është bërë model i qeverisjes me përgjegjësi
Koalicioni VLEN sot ka mbajtur konventën promovuese për zgjedhjet lokale në Shkup. Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami në fjalimin foli për qeverisjen në Tetovë, duke thënë se qytetin e ka gjetur të zhytur në borxhe, kaos urbanistik dhe shumë probleme.
Ai tha se pas katër viteve Komuna e Tetovës është shndërruar në model të qeverisjes me përgjegjësi.
“E mora Tetovën me 24 milionë euro borxh, me rrugë të shkatërruara, qytet të mbytur në mbeturina e baltë. Sot, pas katër vitesh, Tetova është tjetër qytet. Ndërtuam bulevarde e rrugë, shkolla e kanalizim, ringjallëm kulturën dhe pastërtinë, nisëm stadiumin e qytetit. Tetovarët e dinë mirë ndryshimin mes nesh dhe atyre që e lanë qytetin në kolaps për 20 vite”, tha Kasami.
Kryetari i Tetovës tha se kundërshtarët politikë duan ta kthejnë qytetin 20 vjet prapa, por sipas tij, tetovarët nuk do të lejojnë rikthimin e së kaluarës.
“Për ata s’ka më bukë në Tetovë. Ne jemi gati ta hapim Kapitullin e Dytë të zhvillimit, një mandat të standardeve të përhershme e të një vizioni europian”, deklaroi ai.
Ai shpalosi vizionin për një qytet modern, digjital, me ekonomi dinamike, kulturë të gjallë dhe mjedis të mbrojtur. “Tetova është letërnjoftimi ynë dhe shembulli që ua ofrojmë shqiptarëve nga Likova deri në Strugë”, shtoi Kasami.