
Kasami: Shkarkimi i Idrizit? Deklaratë e nxituar, vendosin partitë që propozojnë funksionarët
Kryetari i Tetovës dhe përfaqësuesi i VLEN-it, Bilall Kasami, e cilësoi si një “deklaratë të nxituar” njoftimin e ministrit për Marrëdhënie Ndëretnike, Ivan Stoilkoviq, i cili tha se do të propozojë shkarkimin e drejtorit të Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, Arsim Idrizi, për shkak se në një konferencë për media nuk foli në gjuhën maqedonase.
Kasami theksoi se propozimet për emërime dhe shkarkime janë pjesë e marrëveshjeve të koalicionit qeverisës dhe bëhen nga të njëjtat parti që kanë bërë edhe propozimin fillestar.
“Emërimet e funksionarëve janë pjesë e marrëveshjeve të partnerëve të koalicionit. Mendoj se kjo ka qenë një deklaratë e nxituar. Nuk ka ndonjë marrëveshje që lejon që një partner i koalicionit të ndërhyjë në emërimet apo shkarkimet që i takojnë një tjetri. Këto janë keqkuptime që ndodhin, por besoj se do të tejkalohen,” u shpreh Kasami.