Kasami nga Tetova: “Ne fituam sepse qeverisim me ndershmëri, pa afera dhe me 80 milionë euro investime për komunat shqiptare”
“Ne punës sonë ia dhamë hakun siç ditëm më së miri, pa kursyer asgjë nga vetja. Jo vetëm në këtë fushatë, por edhe në këto 4 vjet në krye të komunës. Tani verdikti i takon sovranit.” Kështu deklaroi kandidati për kryetar të komunës së Tetovës dhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Bilall Kasami, gjatë tubimit përmbyllës në komunën e Tetovës.
“Por, ndërsa presim verdiktin e së dielës, unë dua t’ju përgëzoj për 7 fitoret madhështore të VLEN-it të cilat nuk i zhbën dot askush, e të cilat më bëjnë shumë krenar edhe si politikan, por mbi të gjitha si njeri, si prind e si familjar” deklaroi Kasami.
Ai theksoi se vetëm për një vit qeverisje, koalicioni VLEN po zgjidh nevojat elementare të komunave shqiptare.
“Ne fituam, i dashur Izet, sepse vetëm për një vit qeverisje sollëm 80 milionë euro investime në komunat shqiptare. Fituam sepse me ndihmën e Qeverisë VLEN, po i zgjidhim nevojat elementare të vendbanimeve tona, të cilat i neglizhuan dhe i harruan për 20 vjet.”
Ai nënvizoi më tej se gjatë qeverisjes një vjeçare, koalicioni VLEN zgjidhi çështjen 40 vjeçare të medresantëve.
“Ne fituam, i dashur Zekë, sepse zgjidhëm problemin e medresantëve që i kishin lënë pa zgjidhje për 40 vjet. Fituam sepse e mbrojtëm familjen, u kujdesëm për vlerat tona dhe e ndaluam financimin dhe investimin në devijimin e shoqërisë sonë. Ne fituam, i dashur Arben, sepse nuk dezertuam siç bënë disa prej ish-miqve tanë. Fituam sepse i qëndruam besnik votuesit që e donte ndryshimin dhe nuk u nënshtruam. Neve nuk na devijoi lakmia nga misioni që kemi nisur. Fituam sepse po qeverisim pa asnjë aferë korruptive, me ndershmëri dhe faqebardhsi, ashtu siç i ka hije shqiptarit ” theksoi Kasami.
Kasami i’u drejtua tetovarëve, duke numëruar projektet e realizuara, e planet për siç tha, Kapitullin e Dytë.
“Ne fituam, të dashur tetovarë, sepse Tetovën e nxorrëm nga errësira në dritë. E shpëtuam nga kolapsi, e transformuam dhe e zhvilluam. Fituam sepse sot Tetova po bëhet me stadium të ri, bulevarde moderne, çerdhe e shkolla të reja, salla sportive dhe pishina. Ne fituam, shumë e dashur Tetovë, sepse e përgjysmuam borxhin e komunës, e futëm qytetin në binarë, fituam sepse Tetova është gati për Kapitullin e Dytë”- përmbylli Kasami