
Kasami në hapjen e shtabit: BDI e la Tetovën pa shkolla e pa stadium, ne po i ndërtojmë!
VLEN hapi sot shtabin zgjedhor për komunën e Tetovës.
Investimet në arsim dhe sport zurën vendin kryesor në fjalimin e kandidatit Bilall Kasami. Ai krahasoi dështimet e pushtetit të kaluar me projektet e realizuara gjatë mandatit të tij.
“Ata, me 24 milionë euro borxh, nuk ndërtuan stadium për Shkëndijën; Ne edhe e përgjysmuam borxhin, edhe nisëm ndërtimin e stadiumit”, tha Kasami.
Në arsim, sipas tij, bilanci është i qartë “Ata, me 24 milionë euro borxh, nuk bënë asnjë investim në infrastrukturën arsimore; Ne, me gati dyfish më pak borxh, po ndërtojmë tre shkolla dhe rregulluam dhjetëra të tjera”.
Ai përmendi edhe pishinat për nxënësit “Ne ndërtuam një pishinë, po ndërtojmë edhe dy të tjera, dhe siguruam mësim noti për çdo fëmijë të komunës”.
Kasami tha se këto investime nuk janë vetëm premtime të mbajtura, por themeli i një Tetove moderne. “Kjo është arsyeja pse tetovarët nuk do të kthehen më kurrë te ata që vetëm vodhën e lanë qytetin në borxh”.
