
Kanali famëkeq i Haraçinës drejt zgjidhjes, njoftojnë nga VLEN
Komuna e Haraçinës po përfiton nga investime konkrete që po ndryshojnë realisht jetën e qytetarëve. Një prej projekteve më të rëndësishme, ndërtimi i kanalit anësor që do të mbrojë banorët nga përmbytjet sezonale, është tashmë drejt përfundimit, njoftojnë nga koalicioni VLEN.
Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, vizitoi nga afër punimet në terren, ku vepra me vlerë 63.9 milionë denarë është realizuar me financim të plotë nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
Kanali i gjatë 295 metra ka rikthyer funksionin e tij natyror pas shumë vitesh bllokimi nga mbeturinat, duke rritur sigurinë për mbi 12.600 banorë dhe duke mbrojtur sipërfaqet bujqësore.
Ky projekt cilësohet si investim transformues për komunën, pasi ul ndjeshëm rrezikun nga përmbytjet dhe ndikon pozitivisht në cilësinë e jetës së banorëve.
Nga VLEN thonë se këto projekte janë dëshmi se ndryshimi nuk është premtim, por vepër, dhe se qeverisja e re po i përgjigjet drejtpërdrejt nevojave të qytetarëve.
“Ky është vetëm fillimi. Haraçina do të jetë shembull i suksesit dhe zhvillimit. VLEN do të vazhdojë me fuqi të shumëfishuar, me projekte madhore që e çojnë komunën dhe rajonin në një nivel të ri dinjiteti dhe mirëqenieje”, thuhet në njoftim.