Kallëzim penal për ish-drejtorët dhe komandantin e burgut në Strumicë
Sektori i Punëve të Brendshme në Strumicë ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike kundër tre personave – dy ish-drejtorë dhe komandantin e policisë së burgut në Strumicë – për veprën penale “keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar”.
Të dyshuar janë:
- B.C. (41), ish-drejtor i Burgut të Strumicës,
- V.M. (36), ish-ushtrues detyre drejtor i të njëjtit institucion,
- V.T. (42), komandant i policisë së burgut.
Sipas kallëzimit, ish-drejtorët kanë shpërdoruar funksionin duke lejuar të burgosur të përfitojnë privilegje pa procedurën e rregullt. B.C. ka lejuar tre herë që një i dënuar të dalë jashtë burgut përkohësisht. V.M. ka mundësuar 32 dalje të shkurtra për shtatë të dënuar, si dhe ka dhënë pushim vjetor për dy të burgosur që nuk i plotësonin kushtet. Po ashtu, ai ka lejuar që katër persona të transferohen nga repartet gjysmë të hapura në ato të hapura, ndonëse nuk kishin të drejtë.
Ndërkohë, komandanti V.T. ka marrë autorizim me shkrim nga V.M. për të kryer punë në sektorin e risocializimit, edhe pse nuk kishte arsimimin përkatës. Në të njëjtën kohë ai ka vazhduar të drejtojë edhe policinë e burgut, duke ushtruar dy funksione të papajtueshme dhe me përgjegjësi të lartë.
Prokuroria do të vendosë për hapat e mëtejshëm në këtë rast.