Kallëzim penal ndaj tre vajzave për rrahjen dhe filmimin e një 14-vjeçareje në Kumanovë
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), më 13 mars të këtij viti, të dyshuarat e kanë thirrur një vajzë 14-vjeçare të dalë nga shtëpia e saj, më pas e kanë bindur të hyjë në një dhomë pranë qendrës sportive “Sokolana” në Kumanovë, ku e kanë rrahur dhe e kanë filmuar, përcjell Nistori.
Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzim penal kundër 18-vjeçares P.A. nga fshati Llojan i Komunës së Likovës dhe kundër dy të miturave nga Kumanova, të moshës 14 dhe 15 vjeç, lidhur me rastin e fundit të dhunës ndërmjet bashkëmoshatarëve në Kumanovë, për të cilin në rrjetet sociale u publikua edhe një video.
Vajzat dyshohen se kanë ushtruar dhunë ndaj një 14-vjeçareje katër muaj më parë. Sipas MPB-së, më 13 mars të këtij viti, rreth orës 18:00, ato e kanë thirrur vajzën të dalë nga shtëpia, më pas e kanë bindur të hyjë në një dhomë pranë qendrës sportive “Sokolana” në Kumanovë.
“Atje, fillimisht e kanë fyer, e më pas e kanë sulmuar fizikisht, duke e regjistruar të gjithë incidentin me telefon celular. Pas dhunës, të dyshuarat e kanë kërcënuar të miturën që të mos e raportonte rastin dhe të mos fliste për videon e regjistruar, duke i thënë se, në të kundërt, do t’i ndodhte diçka edhe më e keqe”, njoftoi MPB-ja.
Më herët gjatë ditës së djeshme, drejtuesja e Prokurorisë Themelore Publike të Kumanovës, Teuta Bediu-Ramadani, deklaroi se menjëherë pas publikimit të videos është hapur një rast dhe se po zhvillohen procedura urgjente.
Ky është rasti i dytë i dhunës ndërmjet bashkëmoshatarëve, për të cilin është publikuar një video në rrjetet sociale gjatë këtij muaji. Rasti i parë ndodhi në Aeroportin e Shkupit, ku një vajzë 12-vjeçare u sulmua nga bashkëmoshatarët e saj.