
Kallëzim penal ndaj kryetarit të Kërçovës Fatmir Dehari
SPB Kërçovë ka ngritur kallëzim penal ndaj kryetarit të Kërçovës Fatmir Dehari nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “mosveprim i kujdesshëm në detyrën zyrtare” dhe “rrezikim i mjedisit jetësor dhe natyrës përmes mbeturinave”.
Sipas policisë, që nga viti 2020, i dyshuari ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për menaxhimin me mbeturina dhe Ligjin për mbrojtjen e mjedisit jetësor, duke mos zbatuar obligimet ligjore dhe duke mos ushtruar kontrollin e nevojshëm. Ai dyshohet se ka lejuar krijimin e një deponie të egër në një zonë të banuar në Kërçovë, që shtrihet në disa mijëra metra katrorë, ku punonjësve të komunës u është dhënë detyrë që përditë të deponojnë apo shpërndajnë lëndë mbetëse, raporton VOXAL.
“Për këtë deponi, ai u ka dhënë detyra punonjësve që çdo ditë të deponojnë, lënë ose shpërndajnë lëndë mbetëse, respektivisht të veprojnë me to në një mënyrë që ndryshon cilësinë e ajrit, tokës, ujit apo rrjedhës ujore, në një shkallë që mund të përkeqësojë kushtet e jetesës për njerëzit, kafshët dhe bimësinë, duke rrezikuar kështu ekzistencën e tyre”, shpjegojnë nga policia./VOXAL/