Kallëzim penal ndaj ish drejtorit të Shutkës, lëshonte të burgosurit të dalin kur të duan
Prokuroria ka parashtruar aktakuzë kundër tetë personave të punësuar në INP Burgu Shkup, respektivisht në burgun e Shutkës. Në mesin e personave të dyshuar është edhe ish-drejtori i burgut, Filip Andonov.
“Në bazë të dëshmive të grumbulluara i akuzuari i parë si drejtor i institucionit dhe dy nëpunës të policisë si bashkëveprues kryen vepër të vazhdueshme penale ‘Keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe autorizimit’ prej tyre një nëpunës i policisë ka kryer edhe vepër penale ‘Punë e pakujdesshme në shërbim’, për të cilën vepër akuzohen edhe pesë nëpunësit e tjerë të policisë”, njoftoi sot Prokuroria.
Të dyshuarit, siç bëhet e ditur në kumtesë, dyshohet se në periudhën prej marsit deri në korrik të vitit 2024, me paramendim kanë kryer veprime të lidhura, gjatë kryerjes së autorizimeve të tyre, me çka pesë personave të dënuar u kanë mundësuar lehtësira të cilat sipas vendimeve gjyqësore nuk u kanë takuar.